Presidenti i SHBA Donald Trump tha të enjten se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, nëse Kolegji Zgjedhor voton për Presidentin e zgjedhur Joe Biden.
Edhe pse ai përsëriti pretendimet e pabazuara për mashtrim masiv të votuesve, kjo deklaratë e sjell atë më afër pranimit të humbjes në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Duke folur para gazetarëve me rastin e festës së Falënderimeve, republikani Trump tha se nëse demokrati Biden, i cili do të bëjë betimin më 20 janar, certifikohet si fitues i zgjedhjeve nga Kolegji Elektoral, ai do të largohet nga Shtëpia e Bardhë.
Por Trump shtoi se do të ishte e vështirë për të që të pranonte humbjen në rrethanat aktuale. Gjithashtu, ai nuk pranoi të thoshte nëse do të merrte pjesë në inaugurimin e Biden.
“Këto zgjedhje ishin një mashtrim“, këmbënguli Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa vazhdoi të mos ofronte prova konkrete për parregullsi masive në votime. Më herët ai foli përmes një videokonference me ushtarakët amerikane për t’u uruar festën.
Joe Biden i fitoi zgjedhjet me 306 vota të Kolegjit Elektoral, shumë më tepër sesa 270 që nevojiteshin, kundrejt 232 të fituara nga Presidenti Trump. Elektorët do të mblidhen më 14 dhjetor për të zyrtarizuar rezultatin. Biden mori gjithashtu 6 milion vota popullore më shumë sesa Trump.
Presidenti Trump deri tani ka refuzuar të pranojë plotësisht humbjen, megjithëse javën e kaluar, me presionin në rritje nga radhët e tij republikane, ai ra dakord të lejonte zyrtarisht ekipin e Biden të fillonte procesin e tranzicionit.
I pyetur nëse do të largohej nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për Biden, Presidenti Trump tha: “Sigurisht që do ta bëj. Padyshim që do ta bëj. Dhe ju e dini këtë”.
“Por unë mendoj se do të ketë shumë gjëra që do të ndodhin nga tani deri në 20 janar. Shumë gjëra”, tha ai. “Është gjetur mashtrim masiv. Jemi bërë si një vend i botës së tretë.”
Përpjekjet e Trump dhe të ndihmësve të tij për të përmbysur rezultatet në shtetet kryesore, ose me procese gjyqësore ose me presion ndaj ligjvënësve të shtetit, kanë dështuar dhe alternativat e tij po shterojnë.
Në Shtetet e Bashkuara, një kandidat bëhet president duke siguruar votat elektorale dhe jo duke fituar shumicën e votave popullore në shkallë vendi. Elektorët, të shpërndarë në 50 shtetet plus Distriktin e Kolumbias (Uashington DC), kryesisht në bazë të popullatës, janë besnikë të partive që i kanë zgjedhur dhe zotohen të mbështesin kandidatin që ka fituar votën popullore në shtetin e tyre.