Presidenti amerikan Donald Trump e paralajmëroi Iranin se në rast lufte, do të përballet me zhdukjen. Duke folur për NBC, shefi i Shtëpisë së Bardhë e beri te qarte se shtetet e bashkuara janë të hapura për bisedime, por nuk do ta lejojnë Iranin te zhvilloje armë bërthamore.
Ai konfirmoi ndërkohë raportet ne media se kishte hequr dorë në minutë të fundit nga urdhri për të goditur ushtarakisht republikën islamike si përgjigje ndaj rrëzimit të dronit amerikan nga ana e Teheranit. Sipas Trump, do të ishin vrarë shumë iraniane dhe kjo e bëri të tërhiqej.
“Nuk më pëlqeu. Nuk me pëlqeu sepse nuk ishte aspak proporcionale. E mendova se ata rrezuan një avion pa pilot, ndërsa 150 vete do të ishin vrarë ndoshta brenda një gjysëm ore pasi t’i kisha dhënë sulmit dritën jeshile”, u shpreh Trump.
Media amerikane kishte njoftuar se Presidenti amerikan Donald Trump miratoi goditje ajrore ndaj Iranit të enjten, por më pas u tërhoq nga vendimi për t’i ndërmarrë ato.
Reuters tha se përgjigjja e menjëhershme e Teheranit ndaj mesazhit të Presidentit Trump ishte një paralajmërim i ashpër lidhur me pasojat “rajonale dhe ndërkombëtare” nëse Shtetet e Bashkuara ndërmerrnin veprime ushtarake.Por një zyrtar iranian më pas mohoi që Irani të kishte marrë mesazh paralajmërimi.
I dërguari amerikan për Iranin Brian Hook, i cili ishte për vizitë në Arabinë Saudite tha se është e rëndësishme të bëhet gjithçka për të qetësuar gjendjen.
“Diplomacia jonë nuk i jep të drejtën Iranit që të përgjigjet me forcë ushtarake dhe Irani duhet t’i përgjigjet diplomacisë sonë me diplomaci, jo forcë ushtarake”, tha ai.
Por kreu i Divizionit të Hapësirës Ajrore të Gardës Revolucionare iraniane, Amirali Hajizadeh tha se Teherani kishte dërguar dy sinjale paralajmëruese 10 minuta para se të lëshohej raketa.
“Ata që kontrollonin dronin, i dëgjuan paralajmërimet por nuk u kushtuan vëmendje. Duke pasur parasysh se droni kishte shkelur kufijtë tanë, ai u vu në shënjestër nga raketa tokë-ajër e divizionit ajror të Gardës Revolucionare dhe u godit”, tha ai.
Por Uashingtoni këmbëngul se droni ishte mbi ujëra ndërkombëtare.
Vendimi amerikan për t’u tërhequr nga goditjet ushtarake ndaj Iranit, duket se shmang një konflikt të mundshëm të armatosur që do të përfshinte pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme.
Po ashtu duket se hap një shteg për dialog mes dy vendeve kundërshtare.
Të enjten në mbrëmje, Administrata Federale e Aviacionit lëshoi një urdhër urgjent përmes së cilit ndalonte të gjitha kompanitë ajrore amerikane që të lejonin avionë të hynin në hapësirën ajrore mbi pjesë të Gjirit Persik dhe atij të Omanit, zona ku u godit droni i Marinës amerikane nga Irani.
Edhe disa linja ajrore ndërkombëtare, përfshirë KLM –në holandeze dhe Qantas të Australisë thonë se nuk do të fluturojnë mbi Ngushticën e Hormuzit.