Presidenti i SHBA Donald Trump arriti sot në Britani për një vizitë shtetërore të ngarkuar me rreziqe diplomatike, pas incidentit me kryeministren Theresa May në lidhje me Brexit dhe për faktin që ajo të jetë më e ashpër në marrëdhëniet me Huawei e Kinës.
Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, do të marrin pjesë në një shfaqje mbretërore britanike gjatë vizitës së 3-5 qershorit sipas këtij rendi: drekë me Mbretëreshën Elizabeth, çaj me trashëgimtarin Princin Charles, një banket në Buckingham Palace dhe një vizitë në Westminster Abbey, kisha e kurorëzimit të monarkëve anglez prej 1 mijë vjetësh.
Përtej madhështisë, megjithatë, presidenti i 45-të amerikan krenarisht i paparashikueshëm gjithashtu sjell dhe disa kërkesa: Ai kërkon një pasardhës potencial të May më të fuqishëm dhe radikal në lidhje me Brexit si dhe ambasadorët e tij kanë kërkuar një qëndrim më të ashpër britanik ndaj gjigantit kinez të telekomunikacionit Huawei.
“Pra do të shkojmë në Britani të Madhe, mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme, sigurisht që do të jetë shumë interesante, janë duke ndodhur shumë ngjarje në Britani dhe unë jam i sigurt se gjithçka do të shkojë mirë”, u tha Trump gazetarëve përpara nisjes.
“Siç e dini ata duan të bëjnë tregti me Shtetet e Bashkuara dhe mendoj se ka një mundësi për një marrëveshje shumë të madhe tregtare në një moment në të ardhmen e afërt. Dhe do të shohim se si kjo do të funksionojë“.
Por në atë që ka të ngjarë të jetë vizita më e pazakontë shtetërore e kohëve të fundit, Trump tashmë ka hyrë shumë thellë në politikën e brendshme britanike.
Në një intervistë me gazetën Sunday Times, Trump tha se kreu i ardhshëm britanik duhet të dërgojë mbështetësin e Brexit Nigel Farage për të zhvilluar bisedime me BE.
Trump përsëriti mbështetjen e tij për ata kandidatë që do të pasojnë May që kanë thënë se Britania duhet të largohet në datën e duhur të 31 tetorit me ose pa një marrëveshje.