Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sheh shpresë në luftën kundër koronavirusit.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se numri i viktimave në SHBA do të arrijë nivele “të tmerrshme” gjatë dy javëve të ardhshme, por shtoi se numri i njerëzve të infektuar është duke “u nivelizuar”.
“Shohim dritë në fund të tunelit”, tha Trump. “Shohim që po ndodhin gjëra të mira”.
Të dielën, Nju Jorku, që është epiqendra e shpërthimit të sëmundjes në SHBA, raportoi rënie të numrit të të infektuarve të rinj dhe të viktimave.
Deborah Birx, koordinatore e task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, tha se Spanja dhe Italia janë duke parë shenja pozitivë dhe se pret që edhe SHBA-ja ta ndjekë atë trajektore.
“Spanja dhe Italia na japin shpresë për atë se si mund të jetë e ardhmja jonë”, tha Birx.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 1.2 milion njerëz në gjithë botën.
Më shumë se një e katërta e tyre janë shëruar plotësisht nga sëmundja, ndërsa më shumë se 69,000 kanë vdekur.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve: mbi 337,000. Atje kanë vdekur mbi 9,200 njerëz. /REL