“Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë aleancën më të mirë që ka njohur ndonjëherë bota”. Konfirmimi vjen nga presidenti Donald Trump, i cili gjatë takimit me kryeministren e dorëhequr Theresa May, në ditën e dytë të vizitës në Londër, vlerësoi marrëdhëniet bilaterale.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë foli dhe për tregtinë, duke njoftuar se dy vendet do të arrijnë marrëveshje fenomenale në këtë fushë.
“Ndërsa Britania e Madhe përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian, SHBA përkushtohet në arritjen e një marrëveshje tregtare. Ka shumë potencial në atë marrëveshje tregtare”, deklaroi presidenti amerikan.
Në këtë ujdi, Trump nuk përjashtoi asgjë, madje la të hapur dhe mundësinë e përfshirjes së sistemit shëndetësor të Britanisë. Por që kjo marrëveshje tregtare të arrihet, Trump tha se duhet pritur largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian. Madje përsëriti dhe këshillën e tij që Londra duhej të padiste Brukselin për Brexit.
Ndërsa May iu përgjigj kështu. “Mbaj mend që presidenti më sugjeroi që të padisja Bashkimin Evropian, gjë të cilën nuk e bëmë, por u ulëm në tavolinën e negociatave dhe arritëm një ujdi të mirë.”
Presidenti amerikan komentoi edhe protestën më të madhe të zhvilluar kundër tij në Londër.
“Unë nuk shikoj ndonjë protestë. Pashë vetëm një grup të vogël njerëzish. E gjithë kjo është është ‘fake news’”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ai kritikoi dhe kryebashkiakun e Londrës, Sadik Khan, me të cilin ka pasur shpeshherë fërkime në distancë. Trump tha se drejtuesi i kryeqytetit britanik nuk ka bërë një punë të mirë dhe theksoi se ai nuk duhet të kritikojë presidentin amerikan pasi është një forcë negative.