Donald Trump u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për nxitjen e dhunës. Por vetë procedura e fajësimit të tij e nisur nga demokratët ishte në rregull. Republikanët janë ende larg çlirimit nga Trumpi.
Nga Ines Pohl – DW
Liria e shprehjes është një pasuri e madhe. Për individë privatë, për gazetarët por natyrisht edhe për politikanët. Në një shoqëri të lirë duhet të jetë e mundur të shprehësh mendimin tënd, të argumentosh kundër mendimit të dikujt, pa rrezikuar se për këtë mund të dënohesh. Por është e drejtë që një politikan të lirojë ulësen, nëse vërtetohet se ka gënjyer.
Në dallim nga argumentimet e mbrojtësve të Donald Trumpit, në këtë proces nuk bëhej fjalë për mbrojtjen e fjalës së lirë, por për mbrojtjen e të ardhmes së demokracisë amerikane.
Presidenti Trump ka shkatërruar për vite të tëra besueshmërinë ndaj institucioneve politike të Amerikës pa u ndëshkuar, duke minuar besimin në zgjedhjet e lira dhe duke dëmtuar vetë thelbin e çdo demokracie. I etur për pushtet, ai vazhdonte të përhapte gënjeshtrën se zgjedhjet ishin vjedhur edhe atëherë kur mbi 60 gjykatës, përfshirë këtu edhe shumë prej tyre, të cilët i emëroi vetë Trumpi, konfirmuan qartë se ai i kishte humbur zgjedhjet presidenciale kundër Joe Biden me mbi shtatë milionë vota dallim.
Sulmi ishte jashtëzakonisht e rrezikshëm
Fushata e tij populiste e shpifjeve arriti kulmin në kohën e sulmeve të tmerrshme me 6 janar 2021, kur ai u bëri thirrje mbështetësve të tij të pamundësojnë verifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale dhe të sulmojnë ndërtesën e Senatit. Edhe pse ishte e qartë prej fillimit se do të jetë shumë vështirë të dënohet vetë Donald Trump, demokratët ishin të detyruar të fillojnë këtë proces kundër Trumpit. Tek e fundit, videot e prezantuara gjatë procesit në Senat tregojnë se sa i rrezikshëm ishte ky sulm vërtetë. Në fund të fundit, vetëm duke i falënderuar guximit të disa oficerëve të policisë, politikanët kryesorë, përfshirë këtu edhe ish-zëvendëspresidentin Mike Pence, shpëtuan nga dhuna e turmës. Pesë persona humbën jetën atë ditë, e ka mundur të ketë edhe më shumë viktima. E ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara mban përgjegjësinë.
Turp që Trumpi nuk përgjigjet
Turp është që Trumpi nuk do të përgjigjet për këtë. Fakt është që këto imazhe i kanë bërë të mendojnë mirë disa votues republikanë, por jo edhe shumicën dërrmuese të senatorëve republikanë, që është shumë shqetësuese. Epilogu i këtyre procedurave tregon se sa nën kontroll vazhdon të mbajë Donald Trump Partinë Republikane. Sa e madhe është brenga e deputetëve, se ata do të mund të ndëshkoheshin nga mbështetësit e Trumpit në zgjedhje, nëse e vendosin ligjin para mbajtjes së posteve.
Ajo që ka mundur të jetë një çlirim nga gjendja, përfundoi me çimentimin e përçarjeve në këtë vend. Për bashkësinë ndërkombëtare ky është një tregues i qartë se SHBA do të jetë e preokupuar me veten e vet në vitet e ardhshme.