Një tubim paqësor është organizuar sot pasdite përpara Kryeministrisë në Tiranë. Ishte një thirrje e bërë një ditë më parë në rrjetet sociale që ftonte qytetarët të mblidheshin në sheshin para selisë së qeverisë në kryeqytet, ai që ka grumbulluar një grup kryesisht të rinjsh që me flamujt e Shqipërisë e Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të protestojnë në mënyrën e tyre për Kosovën.
Tema e grumbullimit ishte pikërisht mënyra sesi po e trajton qeveria shqiptare çështjen e Kosovës, por në shesh nuk ka patur fjalime, por vetëm këngë patriotike dhe parulla me domethënie politike.
Qytetarët e grumbulluar zgjodhën sheshin para Kryeministrisë, pasi sipas tyre i detyroi qëndrimi i mbajtur nga qeveria dhe deklaratat e saj. Këta protestues i kërkojë qeverisë shqiptare që të mos jetë e paanshme, por të jetë krah Kosovës. Në rrjetet sociale shkruhet se nuk duhet të ishte anuluar mbledhja e dy qeverive, pavarësisht arsyeve. Tjetër faktor është vendosja e sanksioneve.
Në protestë kanë marrë pjesë edhe personazhe të njohur publikë si Vesa Luma, Big Basta dhe Klodiana Shala.