Thomas Tuchel ka konfirmuar se Chelsea është i interesuar për Erling Haaland. Po kështu, thotë se ka bisedime “të rregullta” për një transferim të mundshëm të yllit të Borussia Dortmund. Haaland është shfaqur si një nga bomberat më të fortë në futbollin evropian gjatë dy viteve të fundit, duke qenë i famshëm te Red Bull Salzburg para se ta çonte nivelin e tij edhe më lart në Dortmund.
Norvegjezi ka shënuar 70 gola në 69 ndeshje që kur iu bashkua Borussia Dortmundit për 20 milionë euro në janar 2020, duke tërhequr vëmendjen nga një numër klubesh kryesore në kontinent. Edhe Chelsea është në mesin e admiruesve të tij.
Tuchel tani ka konfirmuar se Haaland ka dalë në bisedë disa herë gjatë mbretërimit të tij nëntë mujor në “Stamford Bridge”, përfshirë gjatë merkatos së kësaj vere, teksa kërkonte një qendërsulmues të ri: “Ne folëm për Erling Haaland disa herë, përfshirë gjatë sesioneve të merkatos. Atëherë u duk absolutisht joreale dhe aspak e realizueshme. Ne flasim rregullisht për të, natyrisht, sepse është një lojtar fantastik dhe qartësisht figura përcaktuese te Borussia Dortmundi, një rival i madh për ne në Ligën e Kampionëve”.
I pyetur nëse mund ta shohë Haaland duke lëvizur në “Stamford Bridge” verën e ardhshme, pavarësisht nga prania e Lukakut, trajneri gjerman shtoi: “Ju nënkuptoni sulmin tonë me Lukaku dhe Haaland? Po, mund të flasim për të!”