Mediat italiane kanë raportuar një ngjarje të pazakontë të ndodhur në qendër të Napolit në Itali. Një turist zviceran i ulur mbrëmjen e së dielës në një lokal në Piazza Trieste e Trento ka rënë pre e një grabitjeje me armë.
Sipas një videoje të publikuar nga mediat italiane shihet një person që i afrohet turistit të ulur me miqtë në tavolinë dhe pasi i vendos armën në kokë i rrëmben orën nga dora.
Grabitësi hipën më pas në një furgon dhe largohet nga vendngjarja. Ajo që nuk pritej është se pas disa minutash, një person tjetër, edhe ky i armatosur i është afruar turistit dhe i ka kthyer orën.
Sipas të njëjtave burime personi i dytë ka deklaruar se ora ishte false dhe vlente pak. Policia ka marrë kamerat e lokalit dhe po punon për identifikimin e autorëve të ngjarjes.