Nuk paska të mbaruar kjo historia e ndërtimit të HEC-eve në vendin tonë. Madje sa pushon zhurma për njërin, fillon tjetri.
Ambientalistët dhe dashamirësit e natyrës duhet të rrinë në alert se ndryshe mund të kuptosh se brenda pak javësh të jetë zhdukur një destinacion turistik pikërisht për shkak të ndërtimit të HEC-eve.
Këtë herë në shënjestër është vendosur kanioni i Holtës.
Po çfarë po ndodh!? Kanioni i Holtës në zonën e Gramshit, që ndodhet në listën e zonave të mbrojtura të Ministrisë së Turizmit, rrezikon që të zhduket nga harta e destinacioneve turistike dhe shkak për këtë është një leje e dhënë në prill të vitit të kaluar për ndërtimin e një hidrocentrali.
Kompania që ka përfituar këtë leje është “Era Hydro”. Megjithëse lejen e ka marrë që në prill, kompania në fjalë ka nisur punimet për realizimin e hidrocentralit vetëm në fillim të këtij viti. Bashkë me punimet nisën edhe protestat e banorëve vendas dhe të aktivistëve të mbrojtjes së natyrës.
Kundër këtyre punimeve dhe dëmit që po i bëhet kanioneve, është ngritur një peticion që ka marrë 3 mijë nënshkrime deri më tani ndërsa më 25 janar do të protestohet në Tiranë për këtë çështje.
Kreu i Federatës Shqiptare të Rafting, Zamo Spathara bën apel për anulimin e punimeve duke u shprehur kundër çdolloj ndërhyrje që cënon dhe dëmton kanionet dhe bukuritë e natyrës shqiptare.
“STOP Hec-it në Kanionin e Holtës! Federata Shqiptare e Rafting është pro mbrojtjes së mjedisit, natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
Jemi kundër çdolloj ndërhyrje që cënon dhe dëmton kanionet dhe bukuritë e natyrës shqiptare.
Shqipëria, konsideruar nga mediat dhe operatoret turistike ndërkombëtarë si thesari i fshehur i Europës, duhet të mbrohet me të gjitha potencialet që ka e sidomos ato të natyrës.
Turizmi është e ardhmja e gjithë shqiptarëve për një jetë më të mirë dhe më të shëndetshme.
Natyra është arsyeja kryesore pse vendasit dhe të huajt e zgjedhin dhe pëlqejnë Shqipërinë. Lumi është jetë. Uji na mban gjallë! Mbro Kanionin e Holtës!”- shkruan Spathara.