Një ilaç i emërtuar “TR-C 19”, i zhvilluar nga Universiteti i Shkencave të Shëndetit (SBÜ) me qendër në Stamboll në bashkëpunim me kompaninë e industrisë farmaceutike VSY Biotechnology është bërë shpresë për rastet aktive me koronavirusin e ri (COVID-19).
Rektori i SBÜ, Prof. Dr. Cevdet Erdöl, njoftoi se ilaçi është gati për t’u aplikuar mbi të prekurit vullnetarë dhe se planifikohet që ilaçi të licencohet brenda një kohe të shkurtër.
Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Prof. Dr. Cevdet Erdöl tha se vazhdojnë me shpejtësi hulumtimet për të gjetur një kurë kundër koronavirusit që kërcënon në masë të madhe shëndetin e shoqërisë në mbarë botën ku dhe Turqia në këtë drejtim ka ndërmarrë hapa shumë të rëndësishëm.
Ai tha se bashkëpunimi mes universiteteve dhe industrisë është i nevojshëm për shumë gjetje në fushën e shëndetësisë, por kjo bëhet edhe më e rëndësishme se çdo herë në pandeminë e COVID-19. “Në këto ditë ku po kalojmë sprova të mëdha dhe në një periudhë historike ne pa u dorëzuar jemi duke vazhduar rrugën tonë duke dhënë një prej shembujve të rrallë në arenën globale me solidarizimin tonë shtet-popull mes institucioneve tona publike dhe ato private”, tha Erdöl.
Universiteti i Shkencave të Shëndetit (SBÜ) me 58 spitale arsimore dhe kërkimore që kanë një protokoll anëtarësimi me Ministrinë e Shëndetësisë treguan se mbrojtja e atdheut nuk është vetëm në front por edhe me heroizmin dhe sakrificën e lektorëve që kanë kryer detyrën në vijën e parë të frontit.
Punimet kërkimore-zhvilluese dhanë frytet e tyre
Erdöl njoftoi se ata kanë përshpejtuar aktivitetet e punimeve kërkimore-zhvilluese me vetëdijen që të ndjekin dhe kontrollojnë pandeminë COVID-10 dhe t’i ofrojnë popullit shërbim. Fazën e arritur në punimet për ilaçin, Erdöl e ka shpjeguar si më poshtë:
“Si rezultat i punimeve që kemi zhvilluar në këtë drejtim dua të them se ilaçi me emër ‘TR-C 19’ që kemi prodhuar edhe me mbështetjen e Kryesisë së Instituteve Shëndetësore të Turqisë (TÜSEB) të lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë ka neutralizuar virusin COVID-19 të izoluar më parë në laborator dhe se ai tashmë është gati që të aplikohet mbi vullnetarët e prekur pozitivë me COVID-19. Lidhur me këtë çështje jemi në pritje të lejeve përkatëse. Planifikojmë që të licencojmë brenda një kohe të shkurtër TR-C 19. Me këtë rast shpreh falënderimet e mia për të gjithë kontribuesit”.
“TR-C 19, një nga punimet më kuptimplote për ilaçet”
Kreu i kompanisë së industrisë farmaceutike VSY Biotechnology, Dr. Ercan Varlıbaş tha se kanë ofruar të gjithë potencialin e tyre që Turqia të shpëtojë nga ditët e vështira që ka përjetuar përballë COVID-19.
“Si VSY Biotechnology ne deri më tani duke prodhuar të parat në botë me fuqinë tonë kërkimore-zhvilluese dhe inovatore, ne kemi vendosur në zbatim shumë projekte kërkimore-zhvilluese me strukturën tonë novatore. Me produktet tona në 66 vende të botës ne ofrojmë shërbim të pandërprerë për njerëzit në fushën e shëndetësisë. Ne jemi të lumtur që përfaqësojmë vendin tonë me projektet tona të suksesshme në mbarë botën”, tha Varlıbaş.
Ai tha se “Në mesin e këtyre projekteve punimet tona për ilaçin TR-C 19 që kemi zhvilluar kundër koronavirusit i cili sot kërcënon shëndetin e të gjithë botës, është një nga punimet më kuptimplota. Sinergjia që kemi krijuar me Universitetin e Shkencave të Shëndetit (SBÜ) ka një rol të rëndësishëm për ardhjen në fazën e aplikimit në një kohë të shkurtër mbi të prekurit aktivë me koronavirusin. Sigurisht si VSY Biotechnology, dëshira jonë më e madhe është që ilaçi TR-C 19 të jetë i dobishëm për vendin, popullin tonë dhe të gjithë njerëzimin”.
“Shpresoj që ilaçi TR-C 19 do të jetë një recetë efektive në shërimin e të prekurve tanë. Ne jemi të sigurtë se Turqia do të kapërcejë këto ditë të vështira me solidarizimin e të gjitha institucioneve të saj. Si VSY Biotechnology, ne vazhdojmë qëllimin tonë për të treguar të gjitha përpjekjet tona në këtë drejtim”, theksoi Dr. Varlıbaş.
Rektori Erdöl dhe Dr. Varlıbaş njoftuan se zhvillimet lidhur me “TR-C 19” do të ndahen në mënyrë të detajuar brenda një kohe të shkurtër edhe me opinionin publik.