Zgjedhjet që pritet të mbahen në Turqi më 2023, vit i përvjetorit të njëqindtë të krijimit të shtetit mund të shënojnë moment kthese në historinë e vendit.
Republika e Turqisë është krijuar 100 vjet më parë. Që nga ajo kohë vendi ka përjetuar shumë ngjarje, duke filluar me kalimin nga sistemi njëpartiak në sistemin shumëpartiak, puçin ushtarak të 1960-ës, dhunën në rrugë që zgjati më shumë se një dekadë në vitet shtatëdhjetë, pasuar nga një puç tjetër dhe nga disa qeveri koalicioni që kanë qenë të paqëndrueshme në vitet nëntëdhjetë, si dhe marrjen e pushtetit nga islamistët në vitin 2002.
Pavarësisht këtyre dështimeve të vogla dhe të mëdha, shteti turk, krijuar sipas idealeve perëndimore si demokracia, barazia dhe sundimi i ligjit dhe sekularizmit, ka mbijetuar dhe do të festojë vitin e ardhshëm njëqindvjetorin e tij. Sa të qëndrueshme janë institucionet demokratike të Turqisë, tani që mbushin njëqind vjeç?
‘Një nga shembujt më zhgënjyes’
Nën drejtimin e Recep Tayyip Erdoganit, Turqia e ka hequr fokusin nga Perëndimi duke e kthyer drejt Lindjes. Ajo është lidhur më shumë me vlerat islamike, ka bërë miq dhe aleatë të rinj në botën arabe dhe është angazhuar ushtarakisht në vende të tjera, përfshirë Somalinë dhe Katarin, ku prezenca e Turqisë është e mirëpritur. Këto zhvillime nuk kanë kënaqur të gjithë turqit, sepse e gjitha është shoqëruar me rritjen e autoritarizmit.
Sinem Adar, një eksperte për Turqinë në qendrën e studimeve turke, Center for Applied Turkey Studies (CATS) në Berlin, bën një përmbledhje negative të zhvillimeve të Turqisë në drejtimin e Erdoganit. “Sot, Turqia është shembull për shtimin e praktikave autoritare,” vëren ajo. “Që në fund të viteve 2000, vendi është larguar gjithnjë e më shumë nga sundimi i ligjit dhe ndarja efektive e pushteteve.”
Dhe Adar është sidomos e zhgënjyer me drejtimin që kanë marrë zhvillimet në një kohë kur kushtet kanë qenë të favorshme për të shënuar progres. “Duke pasur parasysh përvojën e arritur në shtatë dekada, me zgjedhje shumëpartiake dhe integrim në arkitekturën institucionale perëndimore, dështimi i demokracisë turke mund të thuhet se është një nga shembujt më zhgënjyes në prirjet globale,” thotë ajo.
Islamizmi ka marrë pushtet politik
Një nga vlerat bazë të republikës ka qenë sekularizmi, ose laicizmi, një nga konceptet bazë të modelit francez të ndarjes së pushtetit midis shtetit dhe fesë. Kalifati osman u krijua në vitin 1924, gati një vit mbas krijimit të republikës. Në fakt, Dijaneti, e ashtuquajtura Drejtori për çështjet fetare, u krijua për t’i dhënë shtetit kontroll më të madh mbi ndikimin politik të islamizmit.
Nuk bën gabim të thuash se falë politikave dhe diskutimeve të nxitura nga Erdogani, feja luan sot në Turqi rol më të madh politik se 20 vjet më parë. Adar thekson se që me krijimin e republikës, ka ekzistuar gjithnjë “një linjë e hollë ndarëse midis fesë dhe politikës në Turqi”. Por, 20 vitet e fundit, vite të sundimit të drejtësisë së Erdoganit dhe partisë së tij, AKP, Partisë së Zhvillimit, kanë sjellë ndryshime të mëdha sa i përket “gjerësisë dhe thellësisë së ndërhyrjes së fesë në jetën sociale, ndërhyrje që bëhet me ndihmë të shtetit,” thotë Adar.
Gjatë kohës së qeverisjes së AKP, Dijaneti është kthyer në aktor të madh politik, shpjegon Adar. “Dijaneti ka marrë pushtet sa asnjëherë më parë duke shtuar gjithnjë e më shumë peshën politike dhe aksesin tek burimet. Sidomos pas puçit të dështuar të 2016, Dijaneti ka marrë një rol kyç në riprodhimet e përditshme të narrativës, sipas së cilës elitat drejtuese turke të kryesuara nga Erdogani mishërojnë vullnetin e popullit dhe mbrojnë vlerat autentike të vendit dhe vlerat kombëtare, si dhe integritetin territorial të shtetit,” thotë ajo.
A mund të humbasë Erdogani?
Në 18 qershor 2023, turqit do të shkojnë tek kutitë e votimit për të zgjedhur presidentin e ardhshëm. Disa sondazhe thonë se Erdogani, politikat e të cilit nuk janë të padiskutueshme për të gjithë, mund të humbasë nëse opozita arrin të konkurrojë me një kandidat të vetëm. Kjo çështje është ende pezull. E ashtuquajtura Tavolina e të gjashtëve, që ka të bëjë me gjashtë partitë opozitare që janë bërë bashkë, nuk e ka bërë ende të ditur kandidatin ose kandidatët deri tani. Tavolina e të gjashtëve kërkon të kthejë sistemin parlamentar dhe të vendosë kufizime për pushtetin e presidentit, i cili është shtuar shumë nën Erdoganin, ndihmuar nga ndryshimet e mëdha kushtetuese të bëra në vitin 2018.
Ndryshe nga besimi i përhapur shumë, edhe në vetë Turqinë, vendi ka ende institucione demokratike funksionuese, që sigurojnë deri në një farë mase zgjedhje të lira dhe të ndershme. Viti 2019 dha një sinjal shprese për ata që dëshirojnë të shohin një qeverisje tjetër: Në zgjedhjet lokale, kandidatët e opozitës fituan kundrejt kandidatëve të AKP, në dy qytetet më të mëdha të vendit, në Stamboll dhe Ankara. Kjo tregon se Turqia ka ende institucione demokratike që funksionojnë dhe zgjedhjet mund të fitohen aktualisht nga kundërshtarët e atyre që ndodhen në pushtet, gjë që nuk ndodh në regjime të tjera autoritate, si përshembull Rusia.
Por a ka opozita vërtet shanse të fitojë zgjedhjet e qershorit? Sipas Adarit, opozita ka mundësinë të prezantohet tani si alternativë e besueshme dhe e fortë kundër partisë në pushtet, sidomos po të kesh parasysh “rritjen e zemërimit shoqëror përballë krizës qeveritare, shoqëruar me krizën e thellë ekonomike dhe keqësimin e marrëdhënieve midis elitave dhe aleancës në pushtet në Turqi.”
Por, që të ketë ndryshime pushteti duhet që zgjedhjet të jenë të ndershme. “Për të fituar zgjedhjet, [opozitës i duhet fillimisht] të krijojë […] siguri në qendrat e votimit,” thotë Adar.
Po sikur Erdogani të humbasë?
Por çfarë rruge do të marrë Turqia nëse pushteti kalon në duar të tjera? AKP është krenare për zhvillime të caktuara si për shembull suksesin ndërkombëtar të droneve të prodhuara në Turqi, dronet Bayraktar TB-2. Turqia ka bërë plane që të prodhojë avionët e vet luftarakë si dhe makinat elektrike. Çfarë do të ndodhë me këto projekte nëse në pushtet vjen opozita?
Sipas Adarit, një qeveri e re do jetë në gjendje jo vetëm që të vazhdojë me këto projekte por edhe t’i zhvillojë ato më tej në aspektin praktik dhe demokratik. “Aspiratat për të krijuar një industri mbrojtëse vendase dhe në përgjithësi një ekonomi që të mbështetet tek risitë teknologjike dhe të rejat e fundit ka shumë mundësi që të vazhdojnë edhe nën një qeveri tjetër,” thotë ajo.
“Një qeveri tjetër, sidoqoftë, ka shumë mundësi që të jetë më realiste dhe më e kthjellët në vlerësimin e aftësive të Turqisë, dhe marrëdhëniet midis industrisë së mbrojtjes dhe politikave të jashtme do të institucionalizohen më mirë, do të rregullohen dhe do të jenë më të përgjegjshme se deri tani.”
Ku është e ardhmja e Turqisë?
Duke pasur parasysh zhvillimet aktuale të Turqisë, mund të thuhet se e ardhmja europine e vendit është e pasigurt.
Viti 2023 është vit vendimtar si për Turqinë edhe për marrëdhëniet Turqi- BE, thotë Cigdem Nas, sekretarja e përgjithshme e Fondacionit për zhvillim ekonomik me qendër në Stamboll, instituti kryesor që merret me marrëdhëniet Turqi- BE.
“Nëse fiton opozita, ajo do të përqëndrohet më shumë tek kthimi i sistemit parlamentar, dhe ky proces përfshin gjithashtu agjendën demokratike. Me një skenar të tillë, ne mund të presim rivitalizimin e perspektivës europiane të Turqisë,” thotë ajo.
Nas thekson se kthimi i mundshëm i një agjende të reformuar BE-je në periudhën e paszgjedhore “mund të sjellë përshpejtim të përmirësimit të marrëdhënieve Turqi-BE, me anë të modernizimit të bashkimit doganor, dhe koordinimit më të madh në tregti, energji, politika të jashtme siguri dhe politika emigracioni.”
Ajo thotë se njeriu duhet të jetë realist: “Duke mos pasur asnjë ndryshim të rëndësishëm në agjendën e Turqisë për BE-në, përpjekjet për të zhvendosur raportet nga perspektiva e një vendi kandidat në një partnership bazuar tek interesat do të bëhen më të dukshme.”
Turqia mbetet e rëndësishme
Turqia mund të mos jetë anëtar i klubit, megjithatë mbetet parner i rëndësishëm, partner i privilegjuar. Nas thotë se “Pavarësisht ngrirjes së bisedimeve të anëtarësimit në BE, Turqia mbetet pjesë e arkitekturës së zgjeruar europiane duke qenë partner i rëndësishëm për sigurinë europiane.”
Turqia është pjesë e krahut juglindor të NATO-s dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe brenda Aleancës, duke e kthyer këtë vend në krijues të rëndësishëm sigurie. Sidomos në kushtet aktuale, kur NATO kërkon të ketë unitet maksimal për të përballuar agresorët e mundshëm si Rusia dhe Kina, askush në aleancë nuk do të donte humbjen e një anëtari kaq të rëndësishëm.
Ndërkohë që nuk duket që agresioni rus kundër Ukrainës të marrë fund, roli i Ankarasë si mediator, rol me të cilin ka pasur disa suksese deri tani, pritet të sjellë frute diplomatike për Turqinë, vitin e ardhshëm./DW