Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha të mërkurën se Turqia dëshiron zgjidhje përmes dialogut të mosmarrëveshjes me Greqinë mbi kërkimet për naftë e gaz në Mesdheun lindor, por shtoi se Ankaraja do të mbrojë “të drejtat dhe interesat e saj” në rajon.
Turqia dhe Greqia, aleatë të NATO-s, kanë mosmarrëveshje të ashpra në pretendimet e tyre për burimet e mbivendosura energjitike në rajon. Tensionet janë rritur prej momentit që Ankaraja filloi operacionet e kërkimit në një zonë të diskutueshme të Mesdheut të hënën.
Greqia thotë se anija eksploruese e Turqisë, Oruc Reis, po vepron në mënyrë të paligjshme në ujërat që bien në shelfin kontinental të Greqisë, akuza që Ankaraja i ka hedhur poshtë.
Oruc Reis shoqërohej nga anije luftarake turke kur u largua nga porti për në det të hapur.
“Megjithë këtë, ne duam të besojmë se arsyeja do të mbizotërojë. Si në terren ashtu edhe në tryezë, ne jemi për zbatimin e ligjit ndërkombëtar, fqinjësinë e mirë dhe dialogun”, tha ministri Akar. “Ne duam të arrijmë zgjidhje politike me mjete paqësore, në përputhje me ligjet ndërkombëtare”, tha ai.
Ai tha se Turqia do të vazhdojë të mbrojë “të drejtat, marrëdhëniet dhe interesat e saj” në ujërat bregdetare. “Duhet të dihet se detrat tanë janë atdheu ynë blu. Çdo pikë është e çmuar”, tha zoti Akar.