Ekonomi Britani, papunësia rritet në nivel rekord

Britani, papunësia rritet në nivel rekord

Numri i të punësuarve në Mbretërinë e Bashkuar ka pësuar rënien më të lartë që nga kriza financiare globale e dekadës së kaluar, sipas të dhënave zyrtare të publikuara ditën e martë

Gjatë periudhës Prill-Qershor 2020, rreth 220 mijë njerëz kanë mbetur të papunë, një nga rëniet më të larta qe nga tkurrja ekonomike e vitit 2009.

Zyra e statistikave raportoi gjithashtu për muajin korrik, për rreth 81,000 pagëmarrës të mbetur të papunë. Në të dhëna nuk llogariten individët e papunë qe janë pjesë e skemës financiare për ndihmë ekonomike.

Ministri i financave, Rishi Sunak, tha ditën e martë se shifrat tregojnë se masat e ndihmës financiare kanë ndihmuar në ruajtjen e miliona vendeve të punës që shërbejnë si mjet jetese.

Por qeveria është në përfundim të këtij programi ndihme që do të mbyllet në muajin tetor. Kjo konsiderohet një kthesë kritike, për të cilën shumë ekonomistë mendojnë se do të çojë në një dyfishim të menjëhershëm të papunësisë. Thuhet se numri i punëkërkuesve mund të rritet deri në 3 milionë, shifër kjo e regjistruar më parë në vitin 1980.

Sindikatat i bëjnë thirrje qeverisë që të paktën të shtyjë skemën e ndihmës financiare në sektorët që po vuajnë ende pasojat e masave kufizuese.

Një prej bizneseve më të mëdha të shitjes me pakicë në Britani, Debenhams, njoftoi ditën e martë se do të shkurtonte rreth 2,500 vende pune si pasojë e pandemisë.

Në një deklaratë për Euronews kompania e tij u shpreh se atmosfera në fushën e biznesit ishte ende shumë larg rikthimit në normalitet, ndaj duhet të qëndronin në një linjë të sigurt shpenzimesh me pritshmëri realiste.

Numri i kompanive që shkurtojnë vendet e punës është rritur dukshëm në muajt e fundit, duke vijuar me kompani të mëdha si British Airways dhe Rolls Royce.