“Historia e Ballkanit është shumë më dramatike dhe interesante se skenari i Game of Thrones, edhe pse nuk ka dragonj.”
Është ky paralelizmi që bën presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk mes situatës në të cilën ndodhet rajoni dhe serialit të famshëm televiziv.
Nga ceremonia hapëse e Presidencës Bullgare të Bashkimit Europian, Tusk foli në gjuhën vendase, teksa kërkoi që e tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit të jetë më pak dramatike.
“Qëndrueshmëria, siguria, mbarësia – kjo është ajo që meritojnë të gjithë popujt e rajonit. Dhe qëllimi i BE-së është realizimi i këtij skenari”, u shpreh Presidenti i Këshillit.
Tusk përgëzoi suksesin europian që shënon marrja e presidencës BE-së për Bullgarinë, një arritje historike që sipas tij i takon popullit.
Presidenti i Këshillit Europian vlerësoi pozitivisht prioritetin që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të marrë nën presidencën bullgare, që ka detyrën e vështirë të ripërtëritjes së perspektivës europiane për rajonin.
Përmes presidencës bullgare, pritshmëritë janë që Sofja zyrtare të rinxisë bisedimet e Serbisë dhe Malit të Zi për anëtarësim, si dhe t’i japë Shqipërisë dhe Maqedonisë një ndihmë për t’iu afruar negociatave për anëtarësimin e mundshëm në familjen europiane.