Pas vizitës në Maqedoninë e Veriut, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, mbërriti në Tiranë ku zhvilloi një takim me Kryeministrin. Më pas, së bashku me Ramën, ata zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.
Tusk theksoi se Shqipëria është më pranë integrimit, kur e krahasoi atë me një vit më parë, ndërsa tha se për këtë nuk duhet të ketë as diskutimin më të vogël.
“Medalja më e madhe për mua do ishte çelja e negociatave. Sot, një vit më pas mund të them se në sajë të përpjekjeve tuaja jemi më afër integrimit dhe askush nuk duhet të ketë as diskutimin më të vogël. Në qershor krerët e shteteve u angazhuan për të dhënë një vendim të qartë për çeljen e negociatave me ju dhe Maqedoninë e Veriut në tetor. Unë kam qenë i mendimit se BE duhet të çelë negociatat në përputhje me rekomandimnin pozitiv të komisionit. Vendi juaj duhet të trajtohet me të njëjtin respekt si janë trajtuar edhe vendet e tjera të rajonit. Ne diskutuan sot në lidhje me sundimin e ligjit, ky obsesion i BE. Fqinjësia e mirë gjithashtu është pjesë e ADN-së tonë. Anëtarësimi i Shqipërisë është në interesin më të mirë të të gjithë Europës. Nuk do të ketë Europë të qëndrueshme pa integrimin e Ballkanit. Kjo do të thotë se askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, tha Tusk.
Ndërkohë, Kryeministri Rama bëri të ditur se i ka akorduar Presidentit Tusk “Yllin e Madh të Mirënjohjes. “Pata mundësinë të falenderoj Presidentit për atë që ka bërë këtu në Tiranë. I akordoj yllin e madh të mirënjohjes, duke ndarë gjithashtu edhe disa momente të rëndësishme mes vendit tij dhe vendit tonë. Çmoj para të gjithë opinionit përpjekjen e tij si një avokat në procesin e integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Edi Rama.