I kanë mbetur edhe pak ditë në krye të Këshillit Europian dhe po e shfrytëzon kohën për të vënë pikat mbi “i”.
Në një fjalim në Kolegjin Europian në Bryzh, Donald Tusk nuk ja kurseu kritikat Presidentit francez Emmanuel Macron, lidhur me deklaratën se NATO kishte pësuar vdekje cerebrale, qëndrimin e tij ndaj Rusisë, por kryesisht për veton ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Lidhur me Presidentin francez, një prej liderëve të padiskutueshëm të Bashkimit Europian, dhe miku im i mirë. Dua t’i them atij se edhe unë e ndaj të njëjtën ëndërr për sovranitet në Europë. Por nuk do të ketë sovranitet në Europë pa një Ballkan të stabilizuar, të integruar me pjesën tjetër të kontinentit, dhe nuk duhet të jesh historian për ta kuptuar këtë”, tha Tusk.
Çështja e zgjerimit u rikthye në vëmendje gjatë samitit të Parisit për klimën, ku ndër të tjerë ishin të pranishëm edhe liderët e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi tha pas takimit me Macron se Parisi pret që vendet e bllokut të japin opinionet e tyre brenda 1 ose 2 muajve, mbi një propozim për reformimin e metodologjisë përcjelljen e negociatave. E megjithatë, Macron pretendon së nuk po ofron një alternativë ndaj integrimit në Bashkimin Europian.