Aktualitet U arratis nga salla e gjyqit, policia vë në pranga 21-vjeçarin në...

U arratis nga salla e gjyqit, policia vë në pranga 21-vjeçarin në periferi të qytetit të Korçës

Ka zgjatur shumë pak arratia e Kristjan Medollit.

21-vjeçari Kristjan Medolli u arratis sot nga salla e gjyqit në Korçë, aty ku do të jepej masa e sigurisë për të, pasi ishte arrestuar për vjedhje.

Pak pas arratisë, policia arriti ta vërë në pranga 21-vjeçarin në afërsi të kodrave të qytetit të Korçës.

Policia bën të ditur se ai u kap duke u fshehur në afërsi të azilit të Korçës, afër kishës së Shën Thanasit, i futur nëpër ferra e shkurre.

I riu ishte vënë në pranga më 6 Maj për vjedhje banese. Sipas burimeve në momentin e arratisjes, ai ka qenë me pranga në duar.

Pas arratisjes së tij u ngritën postblloqe në aksin nacional Korçë-Pogradec. Megjithatë i riu nuk do të shkonte shumë larg. Për kapjen e tij u përdorën edhe qentë gjurmues.

“Në vijim të informacionit paraprak të ditës së sotme, i cili bënte fjalë për largimin nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e shtetasit K. M., (i arrestuar më parë për vjedhje) ju informojmë se falë veprimeve të shpejta, nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, u bë e mundur kapja e këtij shtetasi në afërsi të kodrave të qytetit të Korçës dhe shoqërimi i tij, për veprime të mëtejshme procedurale”, njoftoi policia.