Arrestimi i Liam Osmanit ka qenë një prej lajmeve më të komentuara gjatë ditës së djeshme, për shkak se ndërhyrja për të ndodhi brenda shtëpisë së Big Brother. Avokati i tij, Dritan Shehaj u shpreh se dënimi i tij me 2 vite e 6 muaj burg, është bërë pa dijeninë e tij, dhe me avokatë që nuk kanë asnjë lloj kompetence nga ana e Liamit.
“Liami nuk do ta bëjë dënimin e plotë, unë do t’i lëviz të gjitha gurët dhe do t’i kryej të gjitha procedurat e mia që në fund të javës ai të jetë i lirë, pasi vendimi nga ana e policisë është marrë në mungesë të tij”, u shpreh Shehaj në “Kafe Shqeto”.
Ndërkohë avokati tha më tej se arrestimi i Liamit në shtëpinë e Big Brother është përdorur për show, dhe se nuk ka vepër penale.
“Unë jam njohur dje me çështjen dhe u desh të mbaja një qëndrim për shkak të paradoksit të situatës. Po flasim për një shtetas të huaj ndaj të cilit nuk është dhënë asnjë lloji dokumenti për ta njoftuar nga autoritetet e vendit përkatës, gjithçka është bërë në mungesë të tij.
Në vendim i referohet si shtetas shqiptar, gjë që është e gabuar, pasi Liami është shtetas gjerman dhe prej vitit 2019 nuk e ka nënshtetësinë shqiptare, pasi i është hequr me dekret nga presidenti i republikës.
Nuk mund të bëhet ky vendim si shabllon, me njoftime të palajmëruara përmes një procesi të bërë pa dijeninë e tij dhe me avokatë që nuk kanë asnjë lloj kompetence nga ana e Liamit.
Është shumë e çuditshme se si një vendim i vitit 2022 nuk figuron i regjistruar pranë organeve të policisë ku Liami nga Gjermania kalon i rregullt, vjen në Rinas nuk del se është i kërkuar, jeton një javë në Tiranë në mes në Bllokut, e shohin në televizor dhe shkojnë e fusin në burg. Duhet të ndihemi mirë që Policia e Shtetit e shikon Big Brotherin.
Liami nuk do ta bëjë dënimin e plotë, unë do t’i lëviz të gjitha gurët dhe do t’i kryej të gjitha procedurat e mia që në fund të javës ai të jetë i lirë. Vendimi nga pikëpamja proceduriale është ‘nul’ pasi është i marrë në mungesë të tij dhe nuk mund të dënohet një person në këto rrethana”, tha avokati.