Aktualitet U dhunua nga hajdutët që i grabitën banesën, ndërron jetë i moshuari...

U dhunua nga hajdutët që i grabitën banesën, ndërron jetë i moshuari në Mallakastër. Familjarët: E kanë masakruar

Çaush Shehaj, 89-vjeçari, i cili u dhuna nga 2 hajdutët të cilët i vodhën paratë në banesë ka ndërruar jetë në spital. I moshuari nuk ka mundur që t’i mbijetojë dot plagëve të shkaktuara.

Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar dy të rinj, Ervis Halimi, 22 vjeç, banues në Fier dhe Musa Gudo, 28 vjeç, banues në Portëz, Fier.

Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ngjarja ndodhi në fshatin Klos. Dy të rinjtë nën kërcënimin e armës i morën 89-vjeçarit një shumë parash. Po ashtu ata e dhunuan dhe për pasojë i moshuari ndërroi jetë në spital.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë.

“E kanë masakruar”, flasin të afërmit e të moshuarit që u dhunua për vdekje: Autorët duhen varur…

Nipat e Çaush Shehajt, 89-vjeçarit i cili u dhunua për vdekje nga grabitësit e banesës së tij, janë shprehur të hidhëruar nga ngjarja e rëndë që ndodhi në fshatin Klos të Mallakastrës. Ata shprehën se autorët e kishin masakruar të moshuarin pasi kujtonin se kishte para në banesë.

“Jo jemi indinjuar, por nëse ka shtet, nëse ka ligje, në qoftë se ka Perëndi lart, se ne ndiejmë keqardhje të jashtëzakonshme, nëse ka ligje ata për mua duhen varur. Të punosh një jetë të tërë, dhe të të vijë tjetri të të marrë, të të dhunojë të të vrasë për djersën tënde është sakrificë e madhe. E vranë në 2 të natës, lakuriq, e kanë shëmtuar, e kanë masakruar, nga fytyra, nga brinjët, nga kofshët, e kanë bërë nuk i duket mishi i bardhë”, tha një prej nipave.

Sipas të afërmve, ky është rasti i dytë që tentohet të vidhet banesa e Shehajt.

“E kam dajë. Është rasti i dytë dhe është i njëjti person që ka bërë të njëjtën gjë. Ky është rasti i dytë. Ka vajtur njëherë policia, i ka marrë shenjat e gishtave, ku e di unë. S’u bë gjë radhën e parë. I morën çiften. Vajtën tani, qetë-qetë i bënë këtë që i bënë, e vranë. Sot humbi jetën”, u shpreh nipi tjetër.

Viktima banonte së bashku me të shoqen. Kjo e fundit ishte e sëmurë me sklerozë. Ata kishin katër fëmijë, tre prej të cilëve qëndronin në Greqi, ndërsa një tjetër në Francë.

“Jetonte me gruan, në Klos. Kishte probleme me gruan sepse ishte me sklerozë. Jetonin bashkë në kushte jo shumë të favorshme. Ata jetonin vetëm nuk kishin përkrahje. Kjo ishte hera e dytë. Herën e parë policia nuk mori masa. Punoi tërë jetën e tij bëri 5 leka, ato donin t’ia merrnin me forcë”, u shpreh nipi.