Aktualitet “U frymëzova nga babai”, Gledis Nano merr zyrtarisht detyrën: Do çoj përpara...

“U frymëzova nga babai”, Gledis Nano merr zyrtarisht detyrën: Do çoj përpara reformat në policinë e shtetit

Gledis Nano ka marrë zyrtarisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në një ceremoni ku morën pjesë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe paraardhësi i tij Ardi Veliu.

Gjatë fjalës së tij, Gledis Nano u angazhua se do të çojë përpara sfidat e Policisë së Shtetit dhe do të forcojë bashkëpunimin me qytetarët.

“Profesioni im nuk ishte një zgjedhje karriere, por angazhim i frymëzuar nga babai im. Në këto dy dekada kam kuptuar se ky institucion është pjesë kryesore e jetës time që kërkon angazhim të lartë në çdo detyrë. Sfidat për policinë janë të shumëfishta. Sfidat e arrira nga paraardhësi im Ardi Veliu kanë nevojë të çohen përpara.

Kërkoj ta konsiderojnë organizatën tonë si një partner. Ndaj do të jem inkurajues që bashkëpunimi qytetar-polici të forcohet edhe më shumë. Prioriteti im do të jetë intensifikimi i bashkëpunimit me të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend. Ne synojmë një polici më të trajnuar, me kapacitet të shtuara. Unë ju garantoj se me angazhimin tim do vazhdoj më tej me çuarjen përpara të reformave në Policinë e Shtetit. Në ditën e parë të detyrës dua të shfrytëzoj rastin e t’i uroj çdo kolegu suksese. Të gjithë ne jemi betuar në ditën që kemi marrë detyrën. Ndaj kërkoj angazhimin tuaj maksimal sipas betimit që të gjithë ne kemi bërë”, deklaroi Gledis Nano.

Ndërsa paraardhësi i tij, Ardi Veliu ka deklaruar se Policia e Shtetit as fillon me të dhe as mbaron me punonjësit e uniformave blu. Veliu ka akuzuar gjithashtu se persona të caktuar, të cilët i ka etiketuar si “të verbuarit dhe të shurdhuarit” kërkojnë të hedhin poshtë punën e policisë.

Ndërsa ministri i Brendshëm Bledi Çuçi falenderoi Ardi Veliu për punën e bërë në drejtimin e Policisë së Shtetit dhe standardet që ka arritur, teksa u shpreh se drejtori i ri Gledis Nano nuk do ta ketë të lehtë sfidën, megjithatë vlerësoi karrierën e tij profesionale.

“Sot është një ditë e veçantë që ndoshta janë si gur kilometrik për punën e një prej organizatave më të vjetra të shteteve. Siç e tha dhe Ardi Veliu, historia nuk fillon dhe nuk mbaron me një drejtor. Unë them me bindje të plotë se Ardi Veliu gjatë 4 viteve në krye të policisë e ka çuar policinë në nivelet më të mira që ka pasur në 30 vite. Të gjithë mund të kenë rezerva, por para fakteve kokëfortë të gjithë duhet të pranojnë se Policia e Shtetit është një organizatë me dinjitet dhe e barabartë me partnerët tanë perëndimor. Policia ka besueshmërinë më të lartë në 30 vite. Për të mos folur pastaj për statistikat që kanë të bëjnë me krimet, me vrasjet, me luftën kundër kultivimit të kanabisit. Në çdo sektor, në çdo statistikë, policia sot është superiore. Një nga kontribuuesit e këtyre rezultateve është dhe drejtori Ardi Veliu. Unë e vlerësoj për bashkëpunimin, që ka qenë shumë korrekt, shumë profesional, po ashtu e përgëzoj dhe për përgjegjshmërinë e lartë në detyrë. Jam shumë i bindur që Ardi ka shumë për ti dhënë Shqipërisë dhe në detyra të tjera të larta do t’i kryejë me përkushtim siç bëri në polici. Sot kalojmë stafetën me një oficer të ri të karrierës. Dua ta them që në fillim që Gledis Nano do ta ketë shumë të vështirë sfidën, për shkak dhe të niveleve ku ka arritur policia sot. Fjalët e tjera do ja lëmë kohës dhe punës që Gledisi do ushtrojë në krye të Policisë së Shtetit”.