Kulturë U gjend në Lushnjë, Instituti ‘Getty’ restauron statujën e shek. V para...

U gjend në Lushnjë, Instituti ‘Getty’ restauron statujën e shek. V para Krishtit: Tregon për kulturën e zhvilluar ilire

Një statujë prej bronzi, e një kalorësi, realizuar në shekullin V-të para Krishtit, është ekspozuar gjatë këtyre ditëve nga Instituti Getty.

Artefakti, siç citohet në faqen e Institutit amerikan, në laboratorin e të cilit edhe është restauruar, është gjendur në vitin 2018 në Babunjë të Lushnjës në vendin tonë.

Në përshkrimin që shoqërohen imazhet e publikuara thuhet se në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik Shqiptar, konservuesit e ‘Getty-t’ e “analizuan, pastruan dhe ruajtën këtë statujë”.

Përpos kësaj, Instituti “Getty” shton se artefakti, të cilin e emërton si “Kalorësi dhe kali nga Shqipëria”, u gjend në vitin 2018 në Babunjë të Shqipërisë duke e konsideruar si “një rajon dikur të populluar nga kolonët grekë, në atë kohë të njohur si Iliria”.

Forumi Për Mbrojtjen e Trashëgimisë që ka njoftuar në rrjetet sociale për lajmin e restaurimit të artefaktit, duke nënvizuar peshën e laboratorit që ka sjellë në gjendje stabile veprën e artit, shton se “ky zbulim i shekullit V para Krishtit tregon për kulturën e zhvilluar të prapatokës të bregdetit ilir si dhe shkëmbimet tregtare”.

Më tej në status i njihet kontributi studiuesit Hasan Ceka, si i pari arkeolog që gërmoi në stacionin tregtar të Babunjës në vitet ’60.