Gjykata e Tiranës ka lënë në masën “arrest në burg” pa afat efektivin e RENEA-s Altin Morina, i arrestuar të martën pasdite te “Kodra e Diellit” në Tiranë me sasi të mëdha parash në makinë.
Efektivi Morina ka pretenduar në seancën e masës së sigurisë se paratë që iu gjetën në makinë i ka të justifikuara dhe sipas tij i përkasin një biznesmeni, të cilit ia kishte marrë borxh, për të cilat do të paraqitet dokumentacion.
Morina në seancë ka treguar edhe emrin e biznesmenit që sipas tij i ka marrë paratë për problemet e tij personale. Bëhet fjalë për një biznesmen ndërtimi.
“Lekët i kam marrë 20 minuta para tek një biznesmen dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj, i kam për arsye familjare. Nuk vijnë si produkt i veprimtarisë kriminale”, është shprehur ai.
Nga tre akuzat që ishin fillimisht në ngarkim të tij, ajo e shpërdorimit të detyrës ka rënë dhe akuzohet vetëm për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe fshehje të të ardhurave.
Bashkë me sasinë prej më shumë se 100 mijë eurove Moronës iu gjetën edhe 4 aparate celular në makinë, të cilët u sekuestruan.