Trupi i pajetë i Aurel Ndonit, i cili rreth një muaj më parë mbyt në Porto Romano teksa po peshkonte me të vëllanë, është gjetur në brigjet e Kroacisë.
Familjarët e kanë tërhequr trupin nga Kroacia dhe sot kanë zhvilluar edhe ceremoninë e varrimit në fshatin e lindjes, në Grabjan të Lushnjes.
Trupi i tij ishte nxjerrë nga deti në brigjet kroate disa kohë më parë dhe qëndronte në morg i paidentifikuar.
Ditët e fundit një sinjalizim ka mbërritur pranë familjes së Aurelit dhe i vëllai së bashku me dajën e tij kanë shkuar drejt Kroacisë për të bërë identifikimin dhe sjellë trupin në atdhe.
Mbrëmjen e fatkeqësisë, më 25 shkurt, deti ishte i trazuar dhe rrymat detare që kanë qenë të forta e kanë zhvendosur trupin e 40-vjeçarit drejt veriut, brigjeve dalmate.
Me të marrë njoftim policia kufitare dhe më pas polumbarët e RENEA-s u angazhuan në një operacion kërkim-shpëtimi.
Edhe kur kërkimet zyrtare u ndërprenë, familja nuk reshti së kërkuari përgjatë të gjithë vijës bregdetare nga Shkodra deri në Kavajë, po pa rezultat deri ditën e djeshme kur trupi i tij u kthye në atdhe.