Aktualitet Tavani shembet dhe e zë poshtë, vdes punëtori shqiptar në Maltë, plagoset...

Tavani shembet dhe e zë poshtë, vdes punëtori shqiptar në Maltë, plagoset një tjetër

Një 51-vjeçar shqiptar i punësuar në sektorin e ndërtimit në Maltë, ka ndërruar jetë pasi tavani i një shtëpie në riparim e sipër në zonën e Sliemës, e ka zënë poshtë pasi u shemb.

Autoriteti i Ndërtimit në Maltë ka konfirmuar lajmin për mediat vendasë, ndërsa bëhet me dije se një punëtor i dytë 31-vjeçar nga Shqipëria, ndodhet në spital.

Ai arriti të dilte vetë nga ndërtesa pas shembjes dhe aktualisht po trajtohet për plagët e marra në spitalin Mater Dei, por ende nuk dihet gjendja e tij.

Dy burrat po kryenin punime rinovimi në një shtëpi në rrugën lagjen St. Ignatius kur fqinjët dëgjuan një zhurmë të madhe pak para orës 10:00 të mëngjesit. Një grua që jeton pranë vendit të ngjarjes u tha gazetarëve se doli me shpejtësi jashtë dhe pa një shtëllungë të madhe pluhuri dhe një burrë që po dilte nga ndërtesa, i cili po kërkonte një ambulancë pasi kolegu i tij ishte bllokuar brenda.

Menjëherë pas kësaj, punonjës të Departamentit të Mbrojtjes Civile ndërhynë për të nxjerrë punëtorin e ndërtimit nga rrënojat.

Prokuroria ka nisur një hetim për ngjarjen, ndërsa zyrtarë nga Autoriteti i Shëndetit dhe Sigurisë në Punë ka zbuluar se nuk ka një leje nga zyra e planifikimit urban për punimet që po kryheshin në brendësi të ndërtesës.