Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë, pasi akuzohen se kryenin veprimtarisë kriminale të mashtrimit të operatorëve ekonomikë, me qëllim përfitimin e vlerave të konsiderueshme monetare prej tyre.
Ka qenë Shefi i Njësisë “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në Drejtorinë Hetimore në Policinë e Shtetit, kryekomisar Gentian Berberi, i cili ka dalë në një konferencë për rastet e mashtrimeve të operatorëve ekonomikë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Subjekti”, vazhdim i operacionit “Signal”, ku u sekuestruan rreth 142 000 euro, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, i shtetasve: E. L., 41 vjeç, banues në Tiranë, E. J., 32 vjeç dhe G. I., 39 vjeç, të dy banues në Vlorë.
“Të tre këta shtetas, pas informacioneve nga strukturat hetimore, u kapën në flagrancë, në Kamëz, gjatë tentativës për të përfituar përmes mashtrimit, shumën 13 000 euro, nga administratori i një subjekti privat. Nga tërësia e veprimeve hetimore, ka rezultuar se në datën 7 janar 2023, këta shtetas kishin përfituar, po përmes mashtrimit, edhe shumën 12 000 euro.
Gjatë operacionit policor të koduar “Subjekti”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 10 100 euro, 50 000 lekë të rinj, 2 automjete të përdorura për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale, fatura transaksionesh, 6 celularë dhe sende të tjera.
Në vijim të veprimeve, për këtë rast, u bë shpallja në kërkim e shtetasve I. K. dhe F. Gj., bashkëpunëtorë të 3 shtetasve të arrestuar. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Theksojmë se grupet, për realizimin e qëllimit të tyre, kanë përdorur aplikacione të ndryshme telefonike për të komunikuar me operatorët ekonomikë, duke u kërkuar donacione në emër të përfaqësuesve vendorë, por jo vetëm.”