Bota U nisën për të ndihmuar të përmbyturit në Libi, humbin jetën 3...

U nisën për të ndihmuar të përmbyturit në Libi, humbin jetën 3 anëtarë grekë të ekipit të shpëtimit

Të paktën 3 anëtarë të një ekipi grek të shpëtimit dhe 3 anëtarë të një familje libiane kanë vdekur pas një aksidenti rrugor në Libi.

BBC News raporton se ekipet e shpëtimit ishin në mesin e atyre që po udhëtonin me autobus për në qytetin Derna të përmbytur kur automjeti me të cilin lëviznin, u përplas me një makinë që po transportonte një familje. Sipas një zyrtari libian, 2 të tjerë në makinë dhe 8 të tjerë në autobus u plagosën rëndë.

Ministri i Shëndetësisë në Administratën që drejton lindjen e vendit, Othman Abdeljalil, tha në një konferencë se ekipi kishte qenë duke udhëtuar nga qyteti lindor i Bengazit kur ndodhi përplasja.

Nga ana tjetër, autoritetet greke deklaruan se një autobus me personel mjekësor u përplas me një automjet që lëvizte në drejtim të kundërt dhe raportuan se tre anëtarë të misionit humanitar të Greqisë kishin vdekur dhe dy rezultuan të zhdukur.

Ata shtuan se ishte e paqartë se çfarë kishte ndodhur saktësisht dhe se ishin në hetim të incidentit në bashkëpunim me Libinë, ndërsa një operacion ishte duke u zhvilluar për riatdhesim të personelit të tyre.

Një burim diplomatik tha për greken “Kathimerini” se 16 anëtarë të ekipit ishin pjesë e ekipit të shpëtimit grek dhe 3 ishin përkthyes. Ata ishin duke udhëtuar për t’u bashkuar me ekipet e tjera në terren nga shtete të botës, përfshirë Francën dhe Italinë.

Mijëra njerëz humbën jetën në Libi kur 2 diga mbi Derna u thyen gjatë një stuhie të fuqishme 1 javë më parë.

OKB raporton se numri i të vdekurve deri më tani është rreth 11,300. Më shumë se 10,000 të tjerë mbeten zyrtarisht të zhdukur, sipas shifrave nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.