Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi sot në mëngjes qytetin e Kavajës.
Nga kjo ngjarje mbeti i vdekur Dritan Hoxholli, ndërsa u plagos polici B.Toci.
Policia dyshon se ngjarja ndodhi për shkaqe xhelozie pasi të dy burrat kishin lidhje me një grua që e kishte bashkëshortin emigrant në Gjermani.
Sipas AbcNews, fillimisht Hoxholli ka tentuar të futet në shtëpinë e gruas duke përdorur derën e saj, por pasi ajo ka refuzuar ai është ngjitur nga pas pallatit duke shqyer grilën e ballkonit.
Në këtë moment, në vendin e ngjarjes mbërrin polici Toci, i cili fillimisht ka debatuar me Hoxhollin. Pas fjalëve ka qenë radha e përdorimit të armëve, ku burime nga policia bëjnë me dije se fillimisht ishte viktima që qëlloi me kallashnikov në drejtim të Tocit.
Plumbat e kanë kapur këtë të fundit në qafë policin, i cili është përgjigjur me armën e shërbimit duke e lënë Hoxhollin të vrarë në vend.
Toci është dërguar menjëherë në spital, ndërsa ruhet nga policia, ndërsa trupi i Hoxhollit është dërguar në morgun e spitalit të Kavajës.