Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mbërriti pasditen e sotme në Tiranë, për të marrë pjesë në samitin dyditor të Shengenit Ballkanik.
Një samit ku merr pjesë Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut dhe që refuzohet nga Kosova, si dhe nga Bosnje-Hercegovina.
Teksa Rama priste Vuçiçin dhe Zaevin në Rogner, në Bulevard protestonin aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas përfundimit të takimit, Vuçiç dha një konferencë për mediat serbe.
Vuçiç është shprehur se “protesta është normale në demokraci dhe nuk e shoh si problem”. Sipas tij këto protesta nuk do të bëjnë që të ndryshojnë qëndrimin politik dhe të menduarit politik. “Kjo nuk do të bëjë që unë të ndryshoj marrëdhënien apo që Edi Rama të ndryshojë marrëdhënien”.
“Nuk kam çfarë të them për ata njerëz atje…Nuk e kuptojnë realitetin, nuk kanë vizion për te ardhmen, ky është problemi i tyre”, ka deklaruar Vuçiç.
Vuçiç, ka thënë se është ndarë i kënaqur me takimin me kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, takim i cili është mbajtur sonte në Tiranë, dhe ka shtuar se “janë arritur marrëveshje konkrete për shumë gjëra”.
“Këtë që po e bëjmë është rrugë vizionare dhe është diçka që edhe Beogradit, edhe Shkupit e edhe Tiranës do t’i sjellë zhvillim, më shumë para, standard më të mirë të jetesës, qëndrim dhe mbijetesë për popujt tanë në vatrat e tyre, e jo vetëm ikje jashtë vendit me barkun zbrazët”, tha Vuçiç.
Ai tha më tej se takimi i radhës do të jetë në Beograd në fund të janarit dhe vlerësoi se “do të jetë historik” për atë se çfarë do të bëhet deri atëherë.
Shtypi serb i ka kushtuar rëndësi takimeve në Tiranë. Axhenda thotë se Vuçiç do të vizitojë Durrësin me liderët tjerë për të parë pasojat e tërmetit. Kurse, përveç protestave kundër Vuçiç, gazetarë të shumtë serbë raportojnë edhe për jetën jashtë politikës. Agjencitë serbe vlerësojnë edhe Tiranën.