Fillimisht u referua si një ngjarje aksidentale ajo e ndodhur në datën 26 Qershor të këtij viti në Peshkopi ku mbeti i lënduar rëndë 60-vjeçari Nuri Basha, i cili më pas humbi jetën në spital.
Por e vërteta ka qenë ndryshe pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se me datë 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit L. K., pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi O. T. ka shtyrë të ndjerin, i cili është rrëzuar në tokë, duke marrë dëmtime të rënda, si pasojë e të cilave humbi jetën në spital, mbrëmjen e datës 28 Maj.
Është bërë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar të plagosjes që i solli më pas vdekjen 60-vjeçarit. Në pranga ka rënë 53-vjeçari me iniciale O.T. për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” me pasojë vdekjen.
Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit E. T., 48 vjeç, L. K., 52 vjeç dhe A.T., 63 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Autori i dyshuar i plagosjes së 60-vjeçarit të ndjerë dhe 3 shtetasit e tjerë të proceduar në gjendje të lirë, në datën 26.06.2022 deklaruan se ngjarja ka ndodhur në mënyrë aksidentale pasi sipas tyre 60-vjeçari duke zbritur nga automjeti i parkuar i shtetasit E. T., ishte rrëzuar aksidentalisht dhe për pasojë ishte dëmtuar në kokë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.