Ish-kryetari i Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi reagon për herë të parë pasi mbledhja e Kryesisë vendosi ta skualifikojë nga gara për kreun e ri të PD që do të zhvillohet më 13 qershor.
Ibsen Elezi shprehet se e priste një vendim të tillë dhe se po pret një përgjigje zyrtare për këtë gjë nga ana e partisë.
“Të nderuar miq, tash sapo u ktheva nga Kosova, mora lajmin nga mediat se më kanë skualifikuar nga gara për kryetar të PD. Jua them me bindje që e prisja, e kam deklaruar më parë. Pres të marr përgjigjen zyrtare dhe më pas do kem prononcimin tim”, shkruan Elezi.
Edith Harxhi: Akt i rëndë
Ndonëse është një prej 4 kandidatëve që do të garojnë për kreun e ri të Partisë Demokratike më 13 qershor, Edith Harxhi ka reaguar ashpër në lidhje me përjashtimin e disa emrave të tjerë që kishin shprehur gatishmërinë të garonin.
Sipas Harxhit, përjashtimi nga gara e kandidatëve është një akt i rëndë për një parti të djathtë, duke akuzuar edhe njëherë Bashën se nuk po e mban fjalën.
“Përjashtimi nga gara i kandidatëve për Kryetar Partie është akt i rëndë për një Parti të djathtë për të cilën Kryetari i saj aktual ka premtuar disa herë sistem përballje (primaresh), por edhe në këtë rast si në raste të tjera ishte besëprerë. Në veçanti përjashtimi nga gara i Ibsen Elezit njërit prej kandidatëve të Grupit për PD-në, si një nga zërat opozitarë më të paepur në Shqipëri, ish Kryetar i Partisë Demokratike të Kuksit dhe ish-Kryetar i Qarkut të Kuksit, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar, është i pajustifikueshëm dhe i rëndë. Z. Elezi prej disa vitesh kërkon reformimin e thellë të Partisë nga marrja peng e saj nga një njeri i vetëm. Ne do ta vazhdojmë së bashku si grup këtë betejë për reformim pavarësisht pengesave të qëllimshme nga Kryetari aktual”, shkruan Edith Harxhi.