Simone Barreto Silva është njëra nga tre viktimat e sulmit me thikë në kishën Notre Dame në Nice të Francës një ditë më parë.
Ajo ishte një grua braziliane dhe kishte jetuar prej 30 vitesh në Paris. Silva ishte nënë e 3 fëmijëve. Pasi u godit me thikë nga autori 21-vjeçar, e plagosur rëndë kishte mundur të ecte deri sa u rrëzua në një lokal aty pranë.
Në çastet e fundit të jetës, personave të cilët po i jepnin ndihmën e parë u kishte thënë: “U thoni fëmijëve të mi që i dua”.
Ministria e Jashtme e Brazilit ka reaguar duke shprehur ngushëllimet për humbjen e 44-vjeçares që jetonte në Francë.
Dy viktimat e tjera të sulmit me thikë ishin një burrë, baba i dy fëmijëve, i cili punonte në kishën Notre Dame. Ndërsa viktima e tretë ishte një grua 60-vjeçare e cila u vra brutalisht me thikë, duke iu prerë koka, gjatë kohës që po lutej në kishë.
Autori i këtij sulmi, që deri më tani konsiderohet terrorist, është një 21-vjeçar që kishte mbërritur në Europë nga Tunizia disa ditë më parë.