Të gjithë qytetarët që kërkojnë të udhëtojnë në drejtim të Rinasit duhet që më parë të telefonojnë në numrin 112, ose 129 në sallën operative të policisë për të marrë lejen e lëvizjes për në aeroport.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se tek këta numra, shtetasit që duan të udhëtojnë nga Rinasi duhet të njoftojnë kohën e udhëtimit, orarin e nisjes së fluturimit, numrin e personave dhe të dhëna të tjera që do t’u kërkohet nga salla operative.
Gjatë udhëtimit, personat në fjalë duhet të kenë me vetë biletën e fluturimit, pasi do t’u kërkohet si kusht i domosdoshëm nga postblloqet e ngritura nga policia e shtetit përgjatë akseve që lidhin Tiranën, Durrësin, apo Krujën me aeroportin ndërkombëtar.