UEFA publikoi një komunikatë zyrtare ku njoftoi një paketë “masash riintegrimi” për 9 klubet bashkëthemeluese të Super Ligës, ndërsa klubet që nuk e kanë dorëzuar “Deklaratë të Angazhimit të Klubit” janë Reali i Madridit, Barcelona dhe Juventusi.
9 ekipet që u tërhoqën nga projekti për të krijuar një kompeticion të ri janë: Arsenal, Milan, Chelsea, Atletico Madrid, Inter, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham.
Në komunikatë lexohet se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi të merrte disa masa dhe të merrte disa garanci nga 9 klubet, “të cilat pranuan se projekti i Super Ligës ishte gabim dhe i kanë kërkuar falje fansave, federatave respektove, klubeve të tjera evropiane dhe UEFA-s”.
Përveç kërkesës për falje, 9 klubet kanë dhënë garanci se do të marrin pjesë gjithmonë në kompeticionet e organizuara nga UEFA, do të dhurojnë 15 milionë euro për futbollin e moshave dhe do t’u mbahet 5% e fitimeve të sezonit të ardhshëm.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me Realin, Barçën dhe Juven, të cilët nuk kanë hequr dorë zyrtarisht nga Super Liga. Në komunikatën e UEFA-s, në lidhje me këto 3 klube, lexohet: “UEFA rezervon të drejtën për të ndërmarrë çdo veprim që e konsideron të përshtatshëm kundër atyre klubeve që deri tani kanë refuzuar të tërhiqen nga e ashtuquajtura Super Ligë. Çështja do t’i kalojë organeve disiplinore të UEFA-s”.
Tension mes themeluesve të Superligës, Reali, Barça dhe Juvja kërkojnë dëmshpërblim
Ndërkohë, rritet tensioni i brendshëm mes skuadrave që tentuan themelimin e Superligës së Europës. Reali i Madrid, Barcelona dhe Juventusi mësohet se po përgatisin padinë për të kërkuar dëmshpërblim të majmë nga klubet që kanë vendosur të tërhiqen nga projekti me argumentin se kanë shkelur marrëveshjet e nënshkruara midis themeluesve. “New York Times” raporton se Perez, Laporta dhe Agnelli u kanë dërguar një letër kolegëve të tyre “dezertorë”, duke i kërcënuar me veprime ligjore nëse ata u qëndrojnë besnikë UEFA-s.
Juvja, Barça dhe Reali këmbëngulin se braktisja e projektit përbën “shkelje të marrëveshjeve” dhe se nënshkrimi i mundshëm i një marrëveshjeje me UEFA-n mund të çojë në një betejë të vërtetë ligjore.