Ilir Paja, i njohur edhe me nofkën UFO, për shkak të arratisjeve të shumta nga drejtësia, do ta vuajë dënimin e një gjykate italiane me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje dhe rrëmbim, në Shqipëri.
Gjykata e Tiranës vendosi të njohë dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit në Milano dhe Paja do e vuajë atë në një burg në Shqipëri.
I konsideruar si një nga personat më të kërkuar nga Policia, ai qëndroi për 5 vite në arrati pasi u lirua nga ish-gjyqtarja Enkeleida Hoxha në 2017-ën, teksa ishte duke vuajtur një dënim për 17 vjetësh për plagosjen e një punonjësi policie në vitin 2008 në Tiranë.
Ilir Paja u arrestua në fillim të nëntorit të këtij viti në zonën e Laprakës pasi ishte në kërkim nga autoritetet italiane, të cilave i ishte shmangur duke u arratisur nga burgu i Peruxhias, duke përdorur si litarë disa çarçafë të lidhur së bashku.