Më 1 qershor të vitit 1495 është dokumentuar se u distilua për herë të parë ‘Scotch Whisky’ (uiski skocez) nga pastori John Kor.
Në gjuhën gaelik ‘usku’; anglisht ‘whisky’, do të thotë ‘ujë jete’.
Sot Whisky prodhohet në shumë vende të botës, por që një ‘uiski’ të quhet ‘scotch whisky’ ai duhet të jetë prodhuar në Skoci ose nga skocezë (scotch).
Pak histori
Sipas Winston Churchillit, kryeministër i Anglisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, jetëgjatësia kishte dy sekrete, madje tre: “Asnjë çikë sport, vetëm uiski dhe puro”.
Ai vetë praktikisht, një përdorues i rregullt i të dyjave, vdiq në moshën 90-vjeçare.
Por veçoritë e supozuara të uiskit si eliksir i jetëgjatësisë ishin të njohura prej shekujsh aq sausquebaugh, siç e quanin banorët e lashtë të ishujve britanikë (dhe prej ku buron emri uiski) konsiderohej ilaç. Dhe vetëm shumë më vonë u shndërrua në një pije të thjeshtë.
Përpara se të përfundojë në banakët e bareve, uji i jetës i prodhuar kështu është përdorur gjatë si ilaç.
E këshillonte mjeku gjerman Hieronymus Brunschwig, tek libri i tij “Liber de arti distillandi”. Dhe tek “Kronikat e Anglisë, Skocisë dhe Irlandës” të autorit Raphael Holinshed (1529-1580) thuhet se një sasi e caktuar nga ky eliksir “ndriçon mendjen” dhe “i bën mendimet më të shpejtë”.
Veç të tjerash përdorej për anestezi dhe si antibiotik dhe thuhej se zbuste simptomat e dhimbjeve të barkut, paralizës dhe madje edhe lisë.
Çfarë duhet të dini
Është padyshim pija më e preferuar e koktejeve, mbrëmjeve mondane me miqtë dhe netëve të gjata pa gjumë. Mund të përdoret në shumë mënyra, por mund të shijohet vetëm në një të tillë: me pak copa akulli brenda dhe me një cigare në dorë.
Uiski, i quajtur ndryshe uji i jetës, është një distilat që prodhohet nga drithëra të llojeve të ndryshme. Bota e madhe e tyre mund të ndahet të paktën në dy grupe të mëdha, ku në të parin hyn uiski skocez, si për shembull “Glen Grant” apo “Jameson”, dhe uiski amerikan e kanadez si “Jack Daniel‘s” apo “Ballantines”. I pari, duke nisur që nga shekulli i 15-të, përfitohet nga distilimi i elbit të maltuar apo nga përzierja e drithërave të ndryshme. Uiski skocez mund të dalë në shitje pas tre vjetësh, ndërkohë që koha optimale është 5 vjet.
Koktejlet më të njohura në botë me bazë uiskin skocez janë dy: “Rob Roy” dhe “Rusty Nail”.
“Bourbon” është uiski amerikan më i përhapur në botë, që prodhohet kryesisht në zonën e Kentuckyt.
Bëhet kryesisht nga përzierja e drithërave të ndryshme, kryesisht misër. Ka shije dhe aromë të veçantë dhe është uiski më i përhapur nëpër koktejlet e ndryshme, përzier me “Vermut”-in dhe lëngjet e frutave.
Mund të zëvendësojë edhe uiskin kanadez dhe përdoret për përdorimin e koktejleve të tillë si “Old Fashioned”, “Whisky Sourd”, koktejlit kanadez, “Manhatan”-it dhe “Oriental”.
Whisky apo Whiskey?
Diferenca mes “whisky” dhe “whiskey” është thelbësore: whisky është ai tradicionali skocez, ndërsa kur flitet për whiskey kuptohet ai irlandez.
Diferencat nuk përfundojnë këtu. Një tjetër diferencë mes tyre është se whiskey në Irlandë distilohet tri herë për të qenë më i pastër dhe më i “butë”, ndryshe nga ai skocez, që distilohet vetëm dy herë.
Si pihet
Është pije që mund të pihet në çdo kohë, sipas dëshirës. Mund të shoqërohet me akull, ujë mineral, limonadë dhe pije të tjera joalkoolike.
Duke parë përdorimin e tij të gjithanshëm, shumë koktejle e shohin atë si përbërës thelbësor. Në Skoci, tradicionalisht pihet para drekës, në darkë, mbrëmjeve vonë, ose si aperitiv i holluar me pak ujë. Sipas ekspertëve, mos harroni që nëse preferoni ta shtoni uiskin me ujë, ai nuk duhet të jetë mineral, por ujë i pastër çezme, pasi i pari ka një shije që zbut atë të uiskit. E ndërsa somelierët përdorin bukën për të pastruar gojën, vlerësuesit e uiskit përdorin djathin apo çokollatën e hidhur me ujë.