Qeveria shqiptare ka dhënë dritën jeshile për ndërtimin e një ujësjellësi që do të lidhë Gjirokastrën me Pulian. Ishte Presidenti i rajonit, Michele Emiliano, i cili dha lajmin në një konferencë për shtyp ku foli për investimet në sistemin e ujësjellësve, raporton Corriere della Sera.
“Qeveria shqiptare na ka autorizuar të fillojmë planifikimin e ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë. Shqipëria hedh një sasi të konsiderueshme uji në det dhe padyshim ka interes të paguhet për ujin. Ne kemi interes ta marrim atë sepse për ne kjo do të thotë t’i japim një model të ri bujqësisë, të zhvillojmë turizmin dhe t’u japim një të ardhme të gjithë qytetarëve të Puglias”.
Ndërtimi dhe kostot
Për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme do të duhen 4 vite punë dhe një miliard euro. Ujësjellësi pritet që të financohet me burimet e BEI-së, BERZH-it, shtetit italian dhe rajonit e korporatës së ujësjellësit pulian.
Qëllimi sipas Corriere.it është që çdo vit të transportohen 150 milionë metër kub ujë në Pulia dhe për rajonin do të jetë një infrastrukturë strategjike, duke pasur parasysh thatësirën që e ka karakterizuar vitet e fundit.
Sipas palës italiane, Shqipëria do të kishte një përfitim ekonomik, duke qenë se do të hapeshin rreth 8000 vende të reja pune direkte dhe indirekte.
Propozimi i Konfindustrisë
Propozimi për ujësjellësin u lançua në vitin 2022 nga presidenti i Konfindustrisë së Pulias dhe Bari-Bat, Sergio Fontana.
“Këtu në Pulia ne kemi aftësitë për të qenë një pikë referimi kombëtare për politikën e ujit. Kemi Ujësjellësin Pulian, më të madhin në Evropë, stacionin e parë kontraktues në Pulia. Të bashkuar buzë detit Adriatik kemi përballë Shqipërinë, një vend shumë i pasur me ujë. Ne kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me Shqipërinë. Ne kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit në mënyrë proaktive. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz duke ndërtuar një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë”, tha Fontana, gjatë takimit vjetor të Konfindustrisë Bari-Bat.