Bota Ukraina rimerr qytetin në rajonin që u aneksua nga Rusia, aleati i...

Ukraina rimerr qytetin në rajonin që u aneksua nga Rusia, aleati i Putin: Të përdoren armët bërthamore

Ukraina thotë se ka rimarrë kontrollin e qytet kyç të Lyman në pjesën lindore të vendit, që është e pushtuar nga trupat ruse. Rimarrja e kontrollit të këtij qyteti nga trupat ukrainase u bë të shtunën, një ditë pasi Presidenti rus Putin njoftoi aneksimin e 4 rajoneve në Ukrainë, duke përfshirë dhe Donetskun, ku ndodhet Lyman.

“Të dashur ukrainas, sot Forcat e Armatosura të Ukrainës çliruan dhe morën kontrollin e vendbanimit të Lyman në rajonin Donetsk”, dëgjohet të thotë një nga ushtarët ukrainas në një video-regjistrim, raporton Reuters.

Ushtarët ukrainas hedhin në tokë disa prej flamujve rusë dhe ngrenë flamurin e Ukrainës.

Sipas Ukrainës, në 24 orët e fundit janë kryer 29 sulme me avionë luftarakë nga ana e saj, duke shkatërruar armë dhe sistem raketore të Rusisë.

Ndërsa forcat ruse realizuan 16 sulme ajrore duke përdorur dronët e prodhuar nga Irani për të sulmuar infrastrkturën.

Por një aleat i Putinit, Ramzan Kadyrov, udhëheqës i rajonit jugor të Çeçenisë në Rusi, bëri thirrje për përdorim të armëve bërthamore.

“Për mendimin tim duhet të merren masa më drastike deri në shpalljen e ligjit ushtarak në zonat kufitare dhe përdorimin e armëve bërthamore me rendiment të ulët”, tha ai në Telegram.

Edhe zyrtarë të tjerë të lartë të Rusisë, si ish-Presidenti Dmitry Medvedev, sugjeroi se Rusia mund të ketë nevojë të përdorë armët bërthamore.

Të premten, Presidenti Putin deklaroi se Rusia do të mbrojë integritetin territorial me çdo mjet, duke përfshirë tashmë edhe 4 rajonet në Ukrainë, që ai i aneksoi përmes referendumeve të pretenduara, për të cilat tha se këto rajone tashmë janë pjesë territoriale e Rusisë.

Nga ana tjetër Uashingtoni u përgjigj duke thënë se do t’i përgjigjet me vendosmëri çdo përdorimi të armëve bërthamore.