Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë konfirmuar 5 raste pozitive me Covid-19, nga 204 persona të testuar.
Në një dalje për mediat, Mirela Cami nga Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se nga këto 5 raste, 3 janë në Durrës, 1 në Tiranë dhe 1 në Krujë.
“Edhe pse situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, ka vijuar puna intensive e epidemiologëve në terren, për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin aktiv të tyre, si në zonat e kuqe por edhe në ato të gjelbërta.
Ndërkohë mjekët e familjes po monitorojne në vazhdimësi rastet aktive me Covid19 që kanë simptoma të lehta ose janë asimptomatikë”.
Gjendja në spitalin infektiv paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 14 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 969 qytetarë. Prej tyre, rreth 80% janë të shëruar.
Aktualisht janë 167 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 13,500 testime molekulare dhe serologjike. Deri tani janë mbi 1 mijë testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%.