Duke nisur nga dita e sotme, 26 gushti, universitetet publike e private në Shqipëri filluan shkarkimi e të dhënave për të gjithë ata maturantë që aplikuan nëpërmjet formularit A2.
“Universitetet kanë 5 ditë në dispozicion për të llogaritur pikët dhe për të bërë renditjen e maturantëve për çdo program studimi ku ata kanë aplikuar”, tha Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjeti Akademik Shqiptar.
Të dhënat do të ngarkohen në fund të 5 ditëshit, pra ditën e shtunë, në portalin UAlbania.
“Ditën e dielë, pra në 1 shtator rezultatet do të jenë publike për të gjithë ata që kanë aplikuar për një program studimi. Nga dita e dielë paradite, maturantët mund të hyjnë në portal te këndi i maturantit duke futur ID e tyre dhe do të shohin renditjen për çdo program studimi ku ata kanë aplikuar” shpjegoi Xhelaj.
Janë po ata indikatorë si vitet e kaluara, ngjyra jeshile do të thote ke fituar, e kuqja, jo, dhe e verdha që është hapur një vend studimi ku ju jeni fitues në raundin tjetër.
“Procesi i regjistrimit do të fillojë ditën e hënë me datë 2 shtator. Nga ora 8 maturantët do të paraqiten pranë fakultetit ku ka fituar degën e studimit me dokumentet që janë të shprehura në urdhërin e ministrit, kartë identiteti dhe fotokopjen e dokumenteve të tjera. Do të ketë 7 faza regjistrimi 48 orëshe. Çdo maturant ka 48 orë kohë për t’u regjistruar në degën fituese. Në rast se nuk regjistrohet e humb të drejtën e regjistrimit, dhe vijon garën në programet e tjera të studimit ku ai ka shprehur preferencën. Në fund të 7 fazave do të jetë një ditë ku lejohet çregjistrimi i maturantëve që mendojnë se kanë shans për të fituar në një degë tjetër”, tha drejtori i Rrjeti Akademik Shqiptar.
Ekonomiku renditet dega më e kërkuar edhe për këtë vit.
”Degët më të kërkuara janë Ekonomiku, Shkencat Mjekësore. Në vend të tretë Inxhinieritë e Shkencat e Natyrës, më pas Juridiku”, shtoi Xhelaj.
Ky vit shënoi edhe rritjen e mesatares për të gjithe ata maturantë që duan të studiojnë mësuesi.
“Nga 7 ka shkuar ne 7.5, megjithatë kjo masë nuk dha efekt frenues. Mësuesia vazhdon të jetë e preferuar” përfundoi Xhelaj.