Ekonomi Ura mbi lumin Buna/ Abazoviç: 20 milionë euro kostoja, do paguhet 50...

Ura mbi lumin Buna/ Abazoviç: 20 milionë euro kostoja, do paguhet 50 me 50 mes Shqipërisë dhe Malit të Zi

Marrëveshja bilaterale midis Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndërtimin e urës në lumin e Bunës është nënshkruar sot mes dy qeverive në Podgoricë.

Në lidhje me këtë marrëveshje, kryeministri Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Dritan Abazoviç janë pyetur mbi këtë projekt në konferencën e përbashkët për mediat.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri malazez ka deklaruar se ndërtimi i urës kushton 20 milionë Euro, teksa ka shtuar se do të jetë e gjatë 300 metra. Abazoviç është shprehur se financimi do të jetë 50 me 50 nëpërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi.

Dritan Abazoviç: “Është pak më i shtrenjtë se sa e kemi menduar në radhën e parë. Mendoj se do të kushtojë 20 milionë Euro, nëse ndahet përgjysmë nuk është shumë. E kemi pikën e hapur dhe mjetet rezervë për këtë çështje. Tashmë kemi biseduar që do t’i ndajmë dhe pagesa të bëhet në disa vite dhe të mos jetë asnjë ngarkesë për të 2 vendet tona. Ura do të jetë 300 metra. Unë shumë flas për investime, nuk e di se diçka mund të jetë më efektive dhe më e lirë nga vlera se kaq. Sipas marrëveshjes, do ta paguajmë 50 me 50. Pala shqiptare e ka bërë pagimin. Shpejt do të hapim tenderin. Më rëndësi është të fillohet. Kemi kaluar në një fazë të rëndësishme”.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka deklaruar se ky projekt ka një vlerë të jashtëzakonshme pasi do të lidhë anët e një kufiri që është vetëm 300 metra sa është vetë ura.

Edi Rama: “Është një projekt, i cili ka një vlerë të jashtëzakonshme sepse më në fund do të lidhë 2 anët e një kufiri që është 300 metra sa është ura. Projekti është gati, sfida është të hartojmë një procedurë, është hera e parë që ndodh që 2 qeveri do të hapin një garë ndërkombëtare me një komision të përbashkët. Pastaj do të përcaktohet fituesi. Projektin do ta bëjmë të njohur që nesër dhe do të jetë një projekt vërtetë i bukur dhe ambicioz. Shtoj dhe diçka tjetër, për ne është jashtëzakonisht e vlefshme kjo urë sepse edhe me ndërtimin e rrugës nga Shëngjini në Velipojë dhe me këtë lidhje, rritet lëvizueshmëria dhe ne fitojmë në industrinë tonë turistike. Kjo urë nuk zëvendëson urën tjetër kur do të bëhet lidhja e plotë e Korridorit Blu. Për zonën bregdetare të hapim një konkurs. Të 2 vendet tona kanë harxhuar energjitë për bregun e detit. Mali i Zi është bërë një vend lider në këtë rajon. E pajustifikueshme që ne nuk kemi vënë në shfrytëzim liqenin, është 0 e shfrytëzuar. Është një situatë të cilën duam ta përmbysim. Nuk e kemi bërë dot deri tani sepse problematika kryesore është tek koordinimi. Nuk e kemi kulturën e koordinimit. Sfida është kjo dhe padashur të kthehem tek Ballkani i Hapur, pa mekanizma, nuk ka Bruksel dhe Uashington që na shpëton ne”.