Ekonomi Ura që do të shkurtojë udhëtimin nga Shqipëria drejt Malit të Zi,...

Ura që do të shkurtojë udhëtimin nga Shqipëria drejt Malit të Zi, Abazoviç: 70 km zëvendësohen me 10 sekonda

Zv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka folur në emisionin “Opinion” për projektin që mund të lidhë Shqipërinë dhe Malin e Zi vetëm për disa minuta.

Bëhet fjalë për një urë në Velipojë që do të shkurtojë udhëtimin nga Shkodra deri në Ulqin. Sipas asaj që u shpreh Abazoviç, bëhet fjalë për një urë prej 190 metrash dhe ky projekt është diskutuar edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Sipas projeksioneve të para, projekti kushton 9 milionë Euro pasi do të ketë mekanizmin ku të lejohet edhe lundrimi. Abazoviç tha se ura do të kalohet për 10 sekonda dhe do të zëvendësojë 70 kilometra udhëtim.

“Nuk ka shumë me ik kjo punë. Kjo kushton me projeksionet e para 9 milionë Euro, për mekanizmin ku mund të realizohet lundrimi. Kemi konceptimin që kushton më lirë.

Urën keni me e kaluar për 10 sekonda që zëvendëson 70 kilometra. Ky është projekt i ri. Ekziston projekti më herët të bëhet autostrada adriatike. Ky është projekt që ka lidhje vetëm me zonën e poshtme, Ulqinit dhe Velipojës, por mund të jetë inkubator shumë i rëndësishëm për bizneset dhe jo vetëm. Nuk është çështje biznesi. Familjet dikur kanë shikuar njëri-tjetrin përmes kufirit. Kjo është diçka që është arritje kulturore, simbolike dhe historike”, tha Abazoviç.

Zv/kryeministri malazez u shpreh se kjo urë, nëse çdo gjë shkon sipas planeve mund të jetë gati për 2 vite.