Shefat dhe drejtorët e Policisë do të japin llogari para qytetarëve për sa i përket situatës së kriminalitetit në çdo zonë. Burime të Report TV nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se u është dhënë urdhër shefave të komisariateve që çdo 1 muaj të zhvillojnë takime me qytetarët për të diskutuar për situatën e kriminalitetit dhe problemet që kanë banorët. Takimet do të zhvillohen në lagje ose në salla të mbyllura, ku qytetarët do ftohen të marrin pjesë.
Edhe drejtorët e Policisë në qarqe do të japin shpjegime 1 herë në 6 muaj. Drejtorët do të zhvillojnë takime me qytetarët në kinema ose salla të mëdha. Shefat e komisariateve dhe drejtorët do ti përgjigjen pyetjeve të qytetarëve, por edhe do të tregojnë para tyre për situatën e kriminalitetit. Drejtorët dhe shefat e policisë do të raportojnë për veprat penale dhe do tregojnë me emra cilët janë grupet kriminale në qytet dhe çfarë është bërë për ndalimin e këtyre grupeve.
Urdhri për takimet e shefave të policisë do fillojë të zbatohet nga muaji janar 2018. Modeli i takimeve të drejtuesve të policisë me komunitetin është marrë si shembull nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimet e hapura të shefave të policisë me komunitetin, pritet ti shërbejnë uniformave blu edhe për të marrë informacione nga qytetarët për krimet në çdo zonë, por edhe për t’ju përgjigjur shqetësimeve të çdo banori.
Urdhri parashikon që të gjithë shefat e komisariateve dhe drejtorët e Policisë në qarqe të fillojnë planifikimet për takimet me komunitetin në muajin janar, ndërkohë që në muajin shkurt 2018 pritet të zhvillohen bashkëbisedimet e para me qytetarët e çdo lagjeje në kryeqytet, por edhe në qytet e tjerë. Pjesë e takimeve me qytetarët do të jetë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Cako. /ReportTV