Bashkimi Europian ka gabuar në qasjen ndaj Italisë, shtet i cili u la i vetëm në periudhën më të vështirë të pandemisë koronavirus. Këtë e konfirmon dhe kërkim falja e dytë që vjen nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen. Duke folur nga Parlamenti Europian, ajo theksoi se është koha për të vepruar dhe ndihmuar shtetet anëtare.
“Është e vërtetë që shumë nuk ishim aty, kur Italia kishte nevojë për ndihmë në fillim të kësaj pandemie. Dhe është e vërtetë, që BE tani duhet t’i kërkojë falje Italisë, dhe këtë po bën. Por kërkim-faljet vlejnë vetëm nëse ndryshohet sjellja”, deklaroi Von der Leyen.
Von der Leyen shton më tej se “u desh shumë kohë që të gjithë të kuptonin se duhej të mbronin njëri-tjetrin”. Megjithatë thekson se tashmë Bashkimi Europian është bërë “zemra rrahëse e solidaritetit europian”. Ajo shprehet se BE është e fortë dhe e pranishme për të ndihmuar më nevojtarët, ndërsa falënderon mjekët nga e gjithë Europa, të cilën udhëtuan drejt Italisë për të shpëtuar jetë njerëzish.
“Guxoni ta mbroni Bashkimin Europian. Sepse ky Union i yni, do të na nxjerrë përtej krizës. Dhe nesër do të jetë po aq i fortë, sa I përkushtohemi ne sot. Nëse keni nevojë për frymëzim, shikoni qytetarët europianë, të cilët janë bërë bashkë duke treguar ndjeshmëri, përulësi dhe humanizëm”, shtoi presidentja e Komisionit Europian.
Sa i përket aspektit ekonomik, presidentja e Komisionit Europian tha se Blloku ka bërë më shumë në katër javët e fundit se sa në katër vite të krizës së fundit. Von der Leyen nënvizoi se është arritur një përgjigje e përbashkët, duke mobilizuar një fond prej 3 trilionë eurosh.
Ajo përmbylli fjalimin në Parlamentin Europian duke thënë se bota e nesërme do të jetë shumë ndryshe nga ajo e djeshme dhe se duhet të bëhet më shumë për të ndihmuar vendet anëtare.