Dy vendet tona fqinje, Greqia dhe Italia janë në listën e shteteve me ushqimin më të mirë në botë, sipas CNN-it.
Udhëtimi dhe ushqimi në vendin helen “janë një kënaqësi më vete”, sipas gjigantit mediatik amerikan, që përmend djathin e bardhë grek, sallatat shumëngjyrëshe e mishin e qingjit.
Mbi të gjitha, megjithatë, sekreti i shijes së ushqimeve greke, sipas tij mbetet vaji i mrekullueshëm i ullirit.
CNN e quan “një dhuratë nga perënditë” e thotë se ky vaj, që mund të jetë ndoshta eksporti më i rëndësishëm i Greqisë, ndikon mënyrën sesi njerëzit nëpër botë e mendojnë të ushqyerit e shëndetshëm.
Në rastin e Italisë përmendet padyshim pica, raguja e famshme bolonjeze, “mozzarella di buffala”, por edhe kapuçino. Gjenialiteti i vërtetë i kësaj kuzhine – thotë rrjeti televiziv amerikan, – qëndron pikërisht te fakti që ushqimi italian është bërë sot ushqimi i të gjithë njerëzve, të çdo kategorie.
Një vend në këtë listë i është rezervuar dhe ushqimit francez, me “bagetat” e famshme dhe kërmijtë; atij spanjoll me “churros”-in e cilësuar si versioni më i mirë i brumit të ëmbël të skuqur në botë; ushqimit të shëndetshëm japonez me sushin dhe supërat aromatike; apo edhe atij meksikan, me të cilin zor se mund të mërzitesh.