Bota Ushtaraku shpëton dhjetëra persona, neutralizon atentatorin me një veprim si në filma

Ushtaraku shpëton dhjetëra persona, neutralizon atentatorin me një veprim si në filma

Shpeshherë kur shohim film aksioni hollivudianë, mendojmë që disa skena mund të jenë të mundura vetëm në fantazinë e regjisorëve që kërkojnë të habisin publikun.

Por përditshmëria ndonjëherë e kalon edhe skenarin fiktiv, dhe këtë e tregon më së miri historia e oficerit të policisë ushtarake amerikane David Royer.

Royer ndodhej bashkë me të fejuarën në makinën e tij dhe po kalonte një urë pranë Fort Leavenworth, në Kansas, ku ndodhej edhe baza e tij ushtarake.

Gjithçka normale, deri kur një person i paidentifikuar ndalon përpara tij, dhe nxjerr nga makina një pistoletë dhe një pushkë gjysmëautomatike me të cilën fillon dhe godet personat e shumtë që ndodhen në urë.

Heroi i ditës, David Royer

Fillimisht godet një motoçiklist, edhe ai ushtarak, ndërkohë që të tjerë shpëtojnë mrekullisht nga plumbat e shumtë. Skena dramatike nuk zgjat shumë, dhe kjo për meritë të vendosmërisë të Royer.

Ushtaraku pasi i thotë të fejuarës të thërrasë policinë, vendosë të shtypë gazin duke goditur nga mbrapa qëlluesin, duke e neutralizuar atë dhe shpëtuar një numër të madh jetësh. Ende nuk dihen shkaqet e aktit të çmendur, ndërkohë që atentatori është në gjendje të rëndë.

“Nuk e gjykoj veten si hero, besoj se shumë të tjerë do të kishin vepruar si unë”, thotë Royer, i cili ka gjithsesi një eksperiencë 15-vjeçare në forcat e armatosura.

Ushtaraku-hero nuk pati asnjë lëndim, ndërkohë që makina e tij u shkatërrua pothuajse plotësisht. Por padyshim ishte një sakrificë që ia vlente të bëhej.