Nuk është viti 1941, por 2019. Trupat ruse të veshura me uniforma të epokës së Luftës së Dytë Botërore marshuan në Sheshin e Kuq të Moskës, duke rikrijuar kështu paradën legjendare të kohës së luftës.
Në paradën e 7 nëntorit të 1941, forcat e Ushtrisë së Kuqe u vendosën në frontin kryesor në Betejën e Moskës duke u shndërruar në simbol të rezistencës Sovjetike kundrejt ushtrisë Naziste.
Ndërsa fati i Moskës ishte në lojë, lideri i asaj kohe Josef Stalin urdhëroi këtë paradë për të rritur moralin e mbrojtësve të qytetit rus.
Komanda Sovjetike, e cila u fuqizua nga ardhja e trupave shtesë nga lindja e vendit, nisi një ofensivë që zmbrapsi nazistët duke sjellë fitoren e parë të madhe që prej nisjes së Luftës së Dytë Botërore. Për të përjetuar sërish këtë ngjarje historike, rreth 4 mijë ushtarë, dhjetëra tanke të vjetra dhe automjete të epokës së Luftës së Dytë Botërore parakaluan sërish në Sheshin e Kuq.