Kryeministri Edi Rama tha sot se brenda muajit mars do të vaksinohen të gjithë bluzat e bardha. Po ashtu brenda disa ditësh do të përfundojë vaksinimi i të moshuarve brenda shtëpive të moshuarve. Në lidhje me këtë, Rama shtoi se arsyeja pse nuk ka pasur viktima në shtëpitë e të moshuarve në Shqipëri ka qenë fakti që personeli është karantinuar së bashku me ta.
Rama iu ktheu përgjigje edhe akuzave të Metës për ndarje klasore në vaksinim. Kreu i qeverisë u shpreh se personalitetet që do të vaksinohen do të jene mbi moshën 80-vjeçare dhe do t’i shërbejnë akoma më shumë fushatës së vaksinimit.
Po ashtu ai kujtoi takimet e tij në New York për të marrë një kontratë me Pfizer dhe u shpreh se e ushtroi “të gjithë talentin e lypsarit”.
“Ushtrova të gjithë talentin e lypsarit për raste të tilla dhe ia dola që të marrim një kontratë. Kontrata u bllokua në momentin që bllokoi furnizimin javën e parë. Tani ka filluar lëvrimi. Brenda muajit Mars e gjithë sasia që do të vinte nga mesi i Janarit-Shkurt dhe Mars do të vijë. Jemi në diskutim për të marrë sasi të tjera vaksinash. Me Pfizer vazhdojmë çdo ditë kontakte për të afruar dozat. Brenda Marsit mbarojmë vaksinimin e të gjithë mjekëve dhe infermierëve. Mbarojmë brenda disa ditësh vaksinimin e të moshuarve brenda shtëpive të të moshuarve
Në shtëpinë e të moshuarve kemi 700 të moshuarve pa njeri dhe 300 personel dhe nuk kemi pasur asnjë fatalitet. Në Francë ka pasur skandale sepse hyri virusi në shtëpi të moshuarve dhe i mori të gjithë. Nuk kemi pasur fatalitete sepse personeli i shtëpive të moshuarve është futur brenda, është karantinuar totalisht si ata. Kanë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme. Janë nëna dhe gjyshe që janë karantinuar brenda me të moshuarit.
Fillojmë ditën e diel vaksinimin e moshës 80 e lart. Duhet të shtoj se është bërë një bolori e madhe. Unë thashë se do ta fillojmë vaksinimin me disa personalitete që i kanë dhënë shumë vendit tonë dhe që nuk duhet t’i kujtojmë vetëm me lajmin e hidhur që u ndanë nga jeta, por sot që kemi mundësi të kujdesemi për ta duke filluar vaksinimin për moshën 80+. Flas për personalitete 80+. Nuk flas për personalitete hajde të marr Bujar Nishanin dhe ta vaksinoj. Këtu çfarë nuk u tha. Një filozof që shfaqet shpesh thoshte genocid. Presidenti thoshte ndarje klasore, diktaturë. Ilir Meta e ka thënë që të sqarohemi. Është diktaturë që një 80 vjeçare si Tinka Kurti ta vaksinosh kur fillon vaksinimin e të moshuarve. Vaksinimi i tyre është edhe një ndihmë që i jepet fushatës së vaksinimit për të kaluar fushatën që duhet vaksinuar sepse duhet në një kohë ku ka lloj sharlatanësh që flasin për çipa që do të futen nëpërmjet vaksinës për të dëgjuar këta nëpër kafene dhe tallen e qeshin dhe kështu Bill Gates do të mbledhë thashethemet e tyre në arkiva në ujë për të bëre çfarë?”, tha Rama.