Aktualitet Rama: Spitali i ri i Fierit do të jetë publik, çfarë do...

Rama: Spitali i ri i Fierit do të jetë publik, çfarë do të sjellë autonomia

Spitali Memorial i Fierit që po ndërtohet në Fier nga Republika e Turqisë do të jetë spital publik. Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Fierit u shpreh se spitali nuk do të jetë privat dhe se nuk do të ketë fatura ekstra mbi njerëzit. Ai shpjegoi si do të funksionojë spitali.

“Spitali i Fierit do të jetë spital publik. Do të jetë njësoj si spitalet tona publike. Do të jetë pa pagesë siç janë spitalet tona publike. Jo spital privat, jo spital me ndonjë faturë ekstra për njerëzit. Gjithë logjistika do të vijë nga Turqia, por do të jetë një qendër e transferimit të dijes. Për një periudhë tranzicioni 1-3 vite do të shërbejnë 50 persona personel turk dhe 320 persona personel shqiptar. Personeli turk do të ketë që nga drejtuesi, menaxherët, shefat e pavijoneve, mjekët specialistë, infermierë, kryeinfermierë. Personeli shqiptar do të përzgjidhet nga personeli i Fierit dhe më gjerë se sa Fieri mbi bazën e një testi që do të bëhet nga menaxhimi turk”.

Kryeministri Edi Rama ceku edhe faktin që ky do të jetë projekti pilot për autonominë spitalore. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë nuk do të luajë rol në administrimin e spitalit, por do të ketë vetëm rol aprovues dhe monitorues. Po ashtu autonomia spitalore shmang abuzuesit sipas kreut të qeverisë

“Spitali rajonal Memorial siç kemi vendosur ta quajmë do të jetë i pari ku do të pilotohet autonomia spitalore. Faza tjetër e reformës shëndetësore që e kemi prezantuar qysh më herët. Nuk do të jetë më Ministria e Shëndetësisë që do të luajnë një rol në administrim që do të përcaktojnë organikë, funksione etj., etj. Do të kalojnë në një rol aprovues dhe monitorues. Nuk do të jetë pjesë e administrimit të sistemit. Do të ketë një sistem pagash që vlerëson atë që ka më shumë kontribut sipas kritereve, më shumë operacione, më shumë vizita duke bërë atë që është bërë në shumë vende, është bërë edhe në Turqi.

Mjekët dhe infermierët veçanërisht tw spitaleve Covid për mua janë heronj. Është e dhimbshme që një Tire apo disa Tire të hedhin hije mbi heroizmin e tyre, por kjo është një çështje që adresohet me sistem dhe sistemi ndërtohet me reformë dhe reforma kërkon kohën e vet. Me këtë ndërhyrje të disa anshme i japim sistemit një fuqi të re dhe ne marrim drejtpërdrejt nga eksperienca e transferimit të dijes të gjithë njohuritë që na duhen”.

Kreu i qeverisë zbuloi se edhe më parë është bërë përpjekje për të ndërtuar spitalin e ri të Fierit, por qeveria “dështoi me sukses disa herë”.

“Kemi bërë përpjekje prej shumë kohësh, kemi vite për ta materializuar këtë spital. Kemi bërë projektin, kemi bërë përpjekje për gjetjen e financimit se është financim i konsiderueshëm se është gjithë logjistika brenda që ka një kosto shumë të lartë dhe kemi dështuar me sukses më shumë se njëherë si rezultat i mos arritjes së një skeme bindëse edhe pse kemi pasur interesa të shprehura nga anë të ndryshme pasi për buxhetin e shtetit ishte një operacion goxha i rëndësishëm dhe i pamundur në kushtet ku kemi pasur shumë nevoja në transformimet e sektorit të shëndetësisë. Edhe me qeverinë e Turqisë, kjo çështje ishte shtruar edhe më parë. E kemi shtruar këtë çështje, e kemi kërkuar këtë mbështetje, por për 1001 arsye kjo mbështetje u bë e mundur vetëm së fundmi. Ky spital do të jetë një spital që nuk do t’i shërbejë vetëm Fierit por më gjerë. Do të jetë një spital që do të duhet të harmonizojë veprimtarinë e tij me spitalin aktual rajonal që nuk është në të njëjtat standarde. Duke u harmonizuar në programin e aktiviteteve do të funksionojnë si struktura komplementale”, tha Rama.