Pas humbjes me Spanjën, protagonistët e ndeshjes reaguan duke bërë dhe analizën e ndeshjes teksa Armando Broja u shpreh shumë i mërzitur për humbjen. Ai tha se skuadra luajti mirë dhe mund të merrte një rezultat pozitiv.
“Më vjen shumë keq. Për mendimin tim deri në 80’ kemi luajtur mirë, kemi pasur raste. Patëm shanse në fund. Na ndëshkuan me gol të bukur. Është gjë e vogël që të dhëmb. Deri në fund kemi luajtur mirë, por duhet edhe më shumë. Jam shumë i kënaqur për numrin 9, Shqipëria është gjaku im. Desha ta fitonim ndeshjen të gjithë bashkë. Gjynah që nuk kemi marrë barazim. Duhet të punojmë më shumë si ekip në stërvitje. Nuk kam pengje. Nuk ndryshon dot gjë mbrapa ndeshjes. Cikalleshi kishte rast flagrant në pjesën e parë, kemi pasur disa raste, edhe mund ta fitonim ndeshjen. Mungoi fati dhe pasimi i fundit. Mundemi të luajmë edhe më shumë.
Jam shumë i kënaqur që luajta titullar. Trajneri e bën formacionin, detyra ime është të stërvitem mirën. Kam patur shumë kënaqësi. Jam i mërzitur që nuk barazuam pse jo edhe të fitonim, duhet të nxjerrim mësim”, u shpreh Broja.
Ndërkohë edhe Myrto Uzuni foli pas ndeshjes teksa zbuloi se kritikat e mëparshme i ka përjetuar keq dhe se goli ishte si një çlirim për të.
“Në aspektin personal ndihem shumë i lumtur për golin, unë jap gjithmonë maksimumin. Më vjen keq për humbjen në minutat e fundit, besoj gjithmonë te skuadra dhe te vetja ime. Pavarësisht disa gabimeve, ne mendoj se kemi bërë ndeshje shumë të mirë dhe Spanja me mënyrën e saj të lojës të bën të qëndrosh në mbrojtje. Unë ndihem mirë me kalimin tim te Granada, në rastin e golit kam marrë kritika të shumta për disa raste të humbura me Hungarinë dhe e kisha përjetuar keq”.
Ndërkohë edhe Bare foli pas ndeshjes teksa pranoi se gaboi në golin e parë, por në futboll ndodhin gjëra të tilla.
“Kanë një ekip shumë të mirë dhe e luajnë mirë topin. Ne bëjmë ndeshje të madhe duke u mbrojtur mirë dhe nuk u lamë hapësira. Besoj se mund të merrnim një rezultat pozitiv, ishim kompakt, por morëm diçka pozitive edhe pse u mundëm.
Ne treguam në fushë se mund të bëjmë mirë me ekipe të mëdha. Ata e mbanin vazhdimisht topin, ne ishim kompakt. Spanja ka lojtarë shumë të mirë dhe ishin meritë individuale golat që shënuan. Në golin e Spanjës mund të bënim më mirë, por aty kishte shumë lojtarë në atë moment. Ndodhi dhe kështu ndodh në futboll, mund të gabosh. Mendoj se ishte ndeshje pozitive”, tha Keidi Bare.